Numrat nuk po iu dilnin siç kishin planifikuar, andaj duhej një mekanizëm për të alarmuar rreth situatës së krijuar. Dhe u gjet hiç më pak se Këshilli i Sigurisë i Kosovës. Nëpërmjet një komunikate, në ditë vikendi, qeveria njoftoi se Beogradi ka shtuar përpjekjet për të sabotuar themelimin e institucioneve të reja të Kosovës.
Sipas komunikatës, Serbia nëpërmjet kryeterroristit Milan Radoiçiq po tenton të shkaktojë tensione etnike dhe ndërpartiake në Kosovë, me qëllim destabilizimin e vendit. “Serbia tash po ndërhyn te disa prej deputetëve të komuniteteve joshumicë e joserbë që ta sabotojë themelimin e institucioneve të reja të legjislaturës së nëntë. Me kërcënime e joshje dhe sidomos me shantazhe, ajo po orvatet që të nxisë tensione ndëretnike e ndërpartiake në Kosovë dhe ta destabilizojë Kosovën. Kjo paraqet ndërhyrje flagrante ndaj sovranitetit shtetëror, funksionimit demokratik dhe integritetit institucional të vendit tonë”, thuhet në komunikatën e qeverisë.
I pyetur pak pas ditësh për këtë çështje, nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, nuk tregoi se cilët deputetë po shantazhohen nga Beogradi, në mënyrë që të mos e mbështetin Albin Kurtin për krijimin e qeverisë së re. Sipas tij, ky është një “informacion i klasifikuar”.
Edhe mund të jetë ashtu siç thotë Konjufca por, shumë më e rëndësishme se kaq është se Këshilli i Sigurisë u instrumentalizua nga qeveria, përkatësisht kryeministri në detyrë Albin Kurti, përkatësisht Lëvizja Vetëvendosje, për të bërë presion, përkatësisht për të intimiduar deputetë të komuniteve joserbe.
Duke i përfshirë në bllok dhjetë deputetët e komuniteteve joserbe, pa treguar se cilët janë ata që Serbia po përpiqet t’i joshë e t’i shantazhojë, qeveria i vë në “tabelë qitjeje” të gjithë, duke i shndërruar në fajtorë kujdestarë për dështimin e krijimit të qeverisë sipas planeve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Albin Kurtit. Në këtë mënyrë mund të supozohet se secili nga këta deputetë është shënjestër e joshjes dhe shantazhit nga Milan Radoiçiq, duke i portretizuar si pengues të krijimit të institucioneve, përkatësisht njerëz që potencialisht mund t’i nënshtrohen Radoiçiqit dhe që punojnë për Beogradin. Në këtë mënyrë, ata janë bërë adresë e përgjegjësve për dështimin e krijimit të qeverisë, edhe pse s’janë të tillë.
* * *
Qasja e tillë e qeverisë synon që t’i nxijë deputetët minoritarë joserbë dhe të krijojë narrativën se Serbia e mbështet një qeveri të krijuar nga opozita. Pra, synohet të mos merret përgjegjësi për dështimin, por që përgjegjësia t’iu lihet të tjerëve.
Partitë e komuniteteve minoritare joserbe përfaqësojnë komunitetet veç e veç dhe deputetët përfaqësojnë vullnetin e votuesve të tyre. Natyrshëm, ata synojnë përfaqësim në vendimmarrje, në përpjekje për të përmirësuar jetesën e qytetarëve.
Komuniteti rom, ai ashkali dhe ai egjiptian janë komunitetet më të diskriminuara në Kosovë, pavarësisht se ligjet pozitive u sigurojnë të drejta të barabarta. Probleme kanë edhe komunitetet tjera joshumicë. Andaj, është e pandershme dhe e padrejtë që për dështimin e krijimit të qeverisë gishti të drejtohet drejt deputetëve të caktuar të këtyre komuniteteve.
Veton Berisha, njëri nga dy deputetët e komunitetit egjiptian, e sqaroi shumë qartë pozicionin e tij të enjten, në emisionin “Debat plus”, si dhe synimet që ai ka për komunitetin që përfaqëson. Synime legjitime dhe fort të drejta që, duke marrë përgjegjësi në qeverisje, të mund të kontribuojë për komunitetin e tij.
Është gabim që deputetët, veçanërisht ata minoritarë, të shihen veç si numra, të zhveshur nga ajo çfarë përfaqësojnë. Është gabim që ata të konsiderohen makina votimi, të cilët “janë të detyruar” të votojnë secilën qeveri. Ata mund të kenë kërkesa të ndryshme, por është përgjegjësi e mandatarëve për krijimin e qeverisë se si do t’i adresojnë ato.
Por, është shumë e rrezikshme që në çfarëdo situate dhe nëpërmjet çfarëdo insinuate të provosh t’i lidhësh ata me Serbinë – qoftë edhe duke e krijuar përshtypjen që reagimi mund të jetë në mbrojtje të tyre. Siç është i rrezikshëm edhe instrumentalizimi i Këshillit të Sigurisë për interesa partiake dhe në funksion të pushtetit.