“Gogoli” Trump

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të bashkëpunojnë me të zgjedhurit e popullit të Kosovës. Donald Trump nuk është armik i Kosovës dhe është budallallëk të perceptohet si i tillë nga kushdoqoftë

Një ndjenjë ekzaltimi i ka mbërthyer partitë opozitare në Kosovë pas fitores së Donald Trumpit. Njësoj nuk mund të thuhet për partitë në pushtet. Përderisa të parët tek rikthimi i Trumpit shohin një mundësi më shumë për të avancuar në betejën kundër qeverisë aktuale, tek të dytët ekziston një frikë nga paparashikueshmëria e veprimeve që mund të marrë presidenti amerikan në raport me Ballkanin në përgjithësi dhe Kosovën në veçanti. Por as të parët, as të dytët nuk kanë plotësisht të drejtë.

Raportin me SHBA-të Kosova duhet ta shohë dhe ndërtojë si raport të shtetit me shtet, e jo ta perceptojë si raport individual të kujdoqoftë, sepse nuk është i tillë. Pushteti aktual ka frikë se rikthimi i Trumpit në pushtet e rikthen në tavolinë edhe idenë e ndarjes së Kosovës, të kamufluar si ”korrigjim i kufijve”. Ndërkaq opozita shpreson që nëpërmjet njerëzve të Trumpit, si Richard Grenell, Albin Kurti do të vihet nën presion për të pranuar gjithçka që vjen nga SHBA-të. Madje shpreson se, me ndihmën e njerëzve si Grenell, Kurti mund të largohet sërish nga pushteti, siç ndodhi në vitin 2020.

Ballkani nuk është fare në prioritetet kryesore të Trumpit. Bota po vlon nga luftërat dhe krizat. Por, natyrisht, administrata e tij do të merret edhe me Kosovën, përkatësisht dialogun e Kosovës me Serbinë dhe mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje të qëndrueshme.

Pushtetit aktual i ka lënë shije të keqe ideja e ndarjes së Kosovës, për të cilën atë kohë ishin pajtuar udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë. Qëndrimi i adminisratës së Trumpit atëbotë ishte se, nëse palët janë marrë vesh, atëherë edhe SHBA-të e mbështesin një zgjidhje të tillë. Se si përfundoi ajo ide tashmë është histori, por nuk përjashtohet mundësia që në përpjekje të prishjes së “status quo”-së aktuale, të rikthehet sërish si një ndër zgjidhjet që mund të diskutohet. Megjithatë, varet se si kësaj çështjeje i qasen institucionet e Kosovës.

* * *

Njerëz të rëndësishëm të institucioneve kosovare nuk kanë qenë fare të kujdesshëm në deklarimet publike në raport me Trumpin dhe administratën e tij që kur ai humbi mandatin e dytë në Shtëpinë e Bardhë. Ministrja e Jashme, me një ton aspak diplomatik, e bëri “për pesë pare” atë dhe bashkëpunëtorin e ngushtë të tij, Grenell.

Por përtej deklarimeve entuziaste thua se ishte punë e kryer që Trump nuk do të rikthehej në pushtet, qeveria e Albin Kurtit nuk ka bërë asgjë për t’i mirëmbajtur ose për t’i forcuar raportet me republikanët. Sikur mbizotëronte njëfarë ngazëllimi se Trump kishte marrë fund dhe nuk kishte fare nevojë që të lobohej në qarqet republikane. Ndryshe veproi Serbia, e cila investoi shumë për t’i forcuar këto raporte.

Kosova nuk e ka luksin që të krijojë simpati ose antipati për cilindo krah politik në SHBA. Si një shtet i vogël dhe me shtetësi ende të papërfunduar, Kosova është dashur dhe duhet të bashkëpunojë si me demokratët, ashtu edhe me republikanët, në mënyrë që të marrë më të mirën e mundshme në çfarëdo forme të normalizmit të raporteve me Serbinë.

Është gabim i madh që tash Trump të shihet si një gogol, i cili po ia dashka të keqen Kosovës dhe veçmas kryeministrit Albin Kurti. Është gabim që kështu të shihet edhe Grenell ose secili bashkëpunëtor tjetër i presidentit amerikan. Varet nga qasja e qeverisë aktuale dhe qeverisë së re se sa të vështira ose të lehta do t’i ketë raportet me administratën e re amerikane.

Analistë ndërkombëtarë thonë se rikthimi i Grenellit mund t’i shkaktojë kokëçarje qeverisë në Prishtinë. Por, institucionet e Kosovës është dashur qysh më herët të mendojnë dhe të planifikojnë se si t’i qasen një situate të tillë dhe jo ta bëjnë punë të kryer pamundësinë e rikthimit të Trumpit në pushtet.

Më tepër sesa vërtet duhej brengosur për qasjen e Trumpit gjatë mandatit të tij të parë, “gogol” me të cilin e frikësonte Kurtin atë e bëri opozita e atëhershme. Andaj qeveria e ardhshme duhet t’i qaset Trumpit si aleat kryesor. Çdo qasje ndryshe është gabim.

Të fundit nga rubrika