Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adem Grabovci, ka thënë se bisedimet në dialogun me Serbinë kanë degraduar, duke theksuar se vendi ka bërë një kthim prapa.
Në një intervistë për emisionin “FIVE”, Grabovci ka thënë se më herët fokusi ka qenë në njohjen e Serbisë me mbikëqyrjen e Shteteve të Bashkuara, por tani, sipas tij, nuk është njësoj.
“Për mendimin tim të gjitha këto probleme që po merremi sot janë dytësore, janë të rëndësishme, por me zgjedhjen e problemit me njohjen që do ta marrim gjithmonë kuptohet me mbikëqyrje të SHBA-së, të gjitha problemet tjera do të jenë të zgjidhura. Por, unë nuk pajtohem, sepse ka degraduar shumë niveli i bisedimeve në dialog nga problemi thelbësor që është punu në shumë vite dhe ka degraduar kemi bërë një prapa kthim. Sulmi i 24 shatorit në Banjskë nuk e kemi shfrytëzuar siç duhet”, ka deklaruar ai për emisionin “FIVE”.
Mes të tjerash, ai ka theksuar se ka vërejtur mungesën e bashkëpunimit në mes të përfaqësuesve të popullit, dhe se nuk ka një ndarje nga interesat nacionale dhe ato të brendshme që lidhen me problemet e përditshme të qytetarëve.
Në lidhje me “mungesën e bashkëpunimit” në mes të pushtetit dhe opozitës, Grabovci ka thënë se pozita ka përgjegjësi më të madhe dhe duhet t’u bëjë ftesë për bashkëpunim të gjithë përfaqësuesve të grupeve të interesit.
“Gjithnjë pozita ka përgjegjësi më të madhe, ka për obligim që t’i bëjmë ftesë të gjithë përfaqësuesve të gjitha grupeve të interesit… Ne asnjëherë të vetme nuk kemi pasur probleme me përfaqësuesit e punëtorëve qoftë të arsimit apo të tjerëve, pra me sindikatat e punëtorëve. Kemi pasur një bashkëpunim dhe koordinim të shkëlqyer”, ka deklaruar ai.
“Për 20 vjet është shkatërruar ky shtet, kam dëgju shumë fjalë kështu, por jo për 20 vjet janë bërë ndryshme marramendëse, saqë një njeri normal edhe ai më i larti, kur po vijnë në Kosovë i shohin ato ndryshme të jashtëzakonshme. Me i krahasu ndryshimet që kanë ndodhur me vendet në regjion, ne jemi shumë larg”, ka thënë tutje ai.
Ai ka thënë se PDK-ja në pushtet ka pasur bashkëpunim dhe koordinim të shkëlqyer me përfaqësuesit e punëtorëve, duke përmendur sindikatat e punëtorëve si një shembull.