Grafitet e vendosura dhe patrullat e Policisë, janë pamjet kryesore të kësaj të enjte të 18 gushtit në Mitrovicën Veriore.
Mesazhet e vendosura përgjatë sheshit, “Car Lazar”, në veri të Kosovës në ditën kur në Bruksel po mbahet takimi i nivelit të lartë mes Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë Aleksander Vuçiq, janë mjaftë të qarta.
Banorët shqiptarë të veriut shprehen të mllefosur me gjendjen e pandryshuar për më shumë se dy dekada.
Për televizionin ata tregojnë me vështirësitë që ballafaqohen çdo ditë duke jetuar këtu.
“Njëherë e përgjithmonë mu ndal këto problem pasi ne po kemi probleme më ta. Kemi fëmijë të vogël po kanë trauma dhe besoj që kanë me pas një marrëveshje përfundimtare pasi jemi lodh tash e sa vite më këtë gjendje. Po duhet me i shit çdo ditë pronat tona”, ka deklaruar banori Kushtrim Aruçi.
“ Ma merr menja që këta kryetarët bojnë dhe e zgjidhin këtë problem pa pasoja pasi jamë optimistë pasi nuk është në intëres të askujt të kthehemi pas në kohë”, ka thënë Murat Haxhiq – Banor i Lagjes së Boshnjakëve.
“Marrëveshje përfundimtare nuk besoj që është aferë. U dashtë mos me I lanë më dal nga zyra pa një marrëveshje përfundimtare pasi u ba boll që 20 vite”, është shprehur banori, Faik Haziri.
Pak më optimist se banorët është nënkryetari i Kuvendit në Komunën e Mitrovicës Veriore, Skënder Sadiku.
“ Barrikada ka zënë barrikadën e telashja ka zënë telashën dhe besoj se ka ardh momenti më përfundu kjo pasi jemi lodhë nga kjo gjendje. Këto janë shenjat e fundit se duhet të vijë një marrëveshje”, ka deklaruar Sadiku, zyrtar në Komunën e Mitrovicës Veriore
Grafitet e vendosura të enjten në Mitrovicën Veriore dhe mesazhet e tyre janë komentuar edhe nga banorë të komuniteteve joshqipare.
“Jam kundër grafiteve, por nëse këto grafite pasqyrojnë artin dhe ndonjë mesazh pozitiv, atëherë pajtohem me to… Nuk i kam parë akoma grafitet për t’ju thënë nëse janë pozitive ose negative, por qëndrimi im i vetëm për grafitet është ai që thashë…Nuk jam i njoftuar për ‘Brigadën veriore’, nuk jam në politikë andaj nuk di asgjë rreth kësaj”, ka thënë banori Albert Kurtiq.
Situata është tensionuar javët e fundit në komunat me shumicë serbe në veri pas përpjekjeve të institucioneve të Kosovës që të nisin me zbatimin e reciprocitetit për dokumente me Serbinë.
Ky vendim u shty deri më 1 shtator derisa në fundjavën e 31 korrikut por edhe më pas Policia e Kosovës në disa raste është sulmuar me armë zjarri në atë pjesë të vendit.