Ish-emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka njoftuar për zhvillimin e një bisede telefonike me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po mbahet në paraburgim në Hagë.
Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Twitter, të hënën e tetë gushtit, Grenell është shprehur i bindur se populli i Kosovës do të ishte në paqe nëse Thaçi do të ishte akoma president.
“Sapo bisedova me Hashim Thaçin nga burgu në Hagë. Jam i bindur se populli i Kosovës do të ishte në paqe nëse ai do të ishte ende President. Ata gjithashtu do të kishin bashkëpunim më të madh ekonomik me fqinjët e tyre – dhe më shumë punë për fëmijët e tyre nëse Thaçi do të kthehej”, ka shkruar Grenell.
I just spoke with @HashimThaciRKS from prison in The Hague.
I am confident that the people of Kosovo would be at peace if he were still President. They would also have greater economic cooperation with their neighbors – and more jobs for their children if Thaci were back.
— Richard Grenell (@RichardGrenell) August 8, 2022
Ndërkaq, ndalimi i spiunes ruse në Kosovë për Richard Grenellin, “është një Shembull i tmerrshëm”.
Këtë deklaratë e ka bërë ish i dërguar special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës(SHBA) për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, në rrjetin social Twitter, duke i reaguar ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pas arrestimit të spiunes ruse, Daria Aslamova.
Tutje, sipas Grenell-it “Kosova po krijon gjithashtu një precedent për qeveritë e tjera që t’i ndalojnë zyrtarët e Kosovës që nuk i pëlqejnë”.
Ai ka thënë se arrestimi i Aslamova-s është i mënyrës së njëjtë “me refuzimin e afisheve serbe në targa”.
Ndryshe, Grenell kishte reaguar ashpër ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të cilin e ka quajtur “fashist me përvojë” pas vendosjes se reciprocitetit me Serbinë.
Ai e ka akuzuar Kurtin se ka ndërmarrë hapa të njëanshëm për vendosjen e reciprocitetit ndaj Serbisë.