Për deklaratën e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili është shprehur i zhgënjyer për raportimet “e pasakta” në lidhje me vendndodhjen e takimit midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe këshilltarit për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan, ka reaguar ish-emisari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.
Ai përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter, i është kundërpërgjigjur ambasadorit Hovenier duke thënë se “nuk është pasaktësi të thuhet se Kurtit nuk iu dha një takim në Shtëpinë e Bardhë”.
“Është e vërtetë që disa takime zhvillohen në ndërtesën e Zyrës Ekzekutive “Eisenhower”. Kurti nuk u shpërblye me një takim në zyrën e NSA-së, në dhomën e Roosevelt ose në Oval. Ai mund të kishte – por nuk ishte”, ka shkruar Grenell.
It isn’t inaccurate to say that Kurti was not given a White House meeting.
While it is true that some meetings take place in the EEOB; Kurti did not get rewarded with a meeting in the NSA’s office, the Roosevelt Room or the Oval. He could have – but he wasn’t. https://t.co/aaUzr79Yj4
— Richard Grenell (@RichardGrenell) May 31, 2022
Grenell ka theksuar se Kurti është përballur me kritika të ashpra nga demokratët dhe republikanët në Kongres, gjatë takimeve të tij.
“Ai ishte i mbushur me justifikime dhe jo me ide të reja. Politikanët amerikanë nuk ishin të lumtur që ai refuzoi ndihmën e qeverisë amerikane për energjinë e pastër”, ka shtuar Grenell.
Ndërkaq, Honeviner përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter, lidhur me raportimet se kryeministri Kurti, gjatë qëndrimit në SHBA nuk ishte pritur në Shtëpinë e Bardhë nga Sullivan, por jashtë Shtëpisë së Bardhë dhe në korridore, është shprehur i zhgënjyer për raportimet “e pasakta” në lidhje me vendndodhjen e takimit.
“U befasova kur pashë disa shkrime të pasakta dhe mashtruese në shtypin lokal në lidhje me vendndodhjen e Kryeministrit Albin Kurti, gjatë takimit me këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan”, ka shkruar Hovenier.
(1/3) I was surprised to see several inaccurate & misleading stories in local press regarding the location of Prime Minister @albinkurti’s cabinet-level meeting with @POTUS Biden’s National Security Advisor @JakeSullivan46. pic.twitter.com/wcL75xf54d
— Ambassador Jeff Hovenier (@USAmbKosovo) May 31, 2022
Ai ka theksuar se ndërtesa e Zyrës Ekzekutive Eisenhower është pjesë e Shtëpisë së Bardhë.
“Takimet komplekse dhe të nivelit të lartë, duke përfshirë Presidentin, Zëvendës Presidentin dhe Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare mbahen rregullisht atje”, ka shtuar ai.
Po ashtu, ambasadori Hovenier ka dhënë një shembull kur në të njëjtën ndërtesë në vitin 2010 ishte takuar ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe Joe Biden, i cili në atë kohë ishte zëvendëspresident i SHBA-së.
“Një shembull, në vitin 2010, unë isha i pranishëm në një takim mes zëvendës presidentit të atëhershëm Biden dhe kryeministrit të atëhershëm Hashim Thaçi në ndërtesën e Zyrës Ekzekutive Eisenhower”, ka shkruar ambasadori.
Ndryshe, i pari i qeverisë gjatë vizitës së tij disa javore në SHBA, ishte takuar me senatorë, kongresmen dhe përfaqësues të bizneseve të ndryshme.
Sipas tij, qëllimi i vizitës në SHBA ishte siguria në rajon dhe investimet.
Kurti, gjatë vizitës në Washington është pritur në takim nga Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jake Sullivan, me të cilin ka diskutuar për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.
Në njoftimin e zyrës së kryeministrit, thuhet se gjatë takimit është diskutuar edhe për agresionin në Ukrainë, dhe përpjekjet destabilizuese të Rusisë dhe të zgjatimeve të saj në rajon.
“Dialogu ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë dialog parimor që respekton barazinë e palëve në bisedime dhe që në qendër të marrëveshjes ka njohjen e ndërsjellë”, ka thënë Kurti, duke shtuar se kushtetutshmëria, integriteti territorial, sovraniteti dhe ligjshmëria ngelen të pacenueshme.
Sipas njoftimit, në këtë takim është diskutuar për rreshtimin e Kosovës me ShBA-në dhe botën demokratike në dënimin e agresionit ushtarak rus në Ukrainë dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse.
I pari i ekzekutivit, po ashtu ka ritheksuar rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Aleancën Veriatlantike (NATO).
“Kosova është e përgatitur për të thelluar partneritetin e bazuar mbi vlerat e përbashkëta me ShBA-në dhe është e përkushtuar në rrugën e saj të integrimit në Bashkimin Evropian dhe në përfshirjen sa më të shpejtë në Programin e Partneritetit për Paqe, si hap i parë drejt anëtarësimit në NATO”, është shprehur Kurti.
Në anën tjetër, Sullivan ka shprehur mirënjohjen ndaj Qeverisë së Kosovës për strehimin e përkohshëm të afganëve në Kosovë.