Ish-ndërmjetësuesi amerikan për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, ka reaguar pas arritjes së marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë.
Richard Grenell ka thënë që kryeministri Kurti ka rënë dakord për çfarë ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka rënë dakord vite më parë.
“Letërnjoftimet nga të dyja palët edhe një herë pranohen, por këtë herë Kurti thotë po”, shkruan Grenell në Twitter.
Ish-ndërmjetësuesi amerikan për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë ka thënë se Kurti po arrin. Grenell ka shtuar se shpreson se kryeministri Kurti do të fillojë të zbatojë edhe marrëveshjet e tjera të mëparshme.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka deklaruar se është arritur një marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë, pasi kjo e fundit ka rënë dakord të shfuqizojë dokumentet hyrëse-dalëse për qytetarët e Kosovës.
“Sipas Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, Serbia ra dakord të shfuqizojë dokumentet e hyrjes/daljes për mbajtësit e letërnjoftimeve të Kosovës dhe Kosova u pajtua që të mos i prezantojë ato për mbajtësit e letërnjoftimeve serbe”, ka shkruar Borrell.