Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ia ka dorëzuar Richard Grenellit, këshilltarit të ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Donald Trump “Urdhrin e flamurit serb, për “shërbime të dalluara në zhvillimin dhe forcimin e bashkëpunimit paqësor dhe të marrëdhënieve mes Serbisë dhe ShBA-së”.
Siç raporton Tanjug, Vuçiqi tha se Grenelli ka pasur “një ndikim të rëndësishëm në marrëdhëniet mes Serbisë dhe ShBA-së”.
“Roli i Richard Grenellit jo vetëm që kontribuoi në paqen dhe stabilitetin rajonal, por gjithashtu luajti rol thelbësor në përmirësimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe ShBA-së. Mandati i tij si njeri për dialog tregoi mprehtësinë e tij, por edhe aftësinë e tij diplomatike dhe mbi të gjitha gatishmërinë për t’i dëgjuar pikëpamjet e palës tjetër, edhe pse nuk ishte gjithmonë dakord. Ai tregoi diçka që pothuajse nuk kemi mundur të shohim në bashkësinë ndërkombëtare – objektivitet, ndershmëri intelektuale e politike dhe konsistencë”, ka thënë Vuçiq.
Ndërkaq, Grenell pas marrjes së çmimit ka thënë se para tre vjetësh në Kosovë është nderuar me një çmim të ngjashëm.
“Jam i nderuar, pasi besoj se jam personi i vetëm që ka marrë çmime të ngjashme në Serbi e Kosovë. Faleminderit për mirësinë tuaj dhe dua të them se më vjen keq që nuk keni një partner si Thaçi që mund të çojë përpara gjërat që po negociohen”, ka thënë Grenell.
Ai ka thënë se është me rëndësi “që bashkësia ndërkombëtare t’i bëjë presion Kurtit që t’i zbatojë ato që premtoi Thaçi” duke shtuar se “Vetëm atëherë mund të kthehet në pikën ku do të bëjë presion mbi të dyja palët për të bërë lëshime”.