Kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis, ka bërë të ditur se pensionet do të rriten në vitin 2023, ai ka thënë që tanimë Greqia ka kaluar me sukses kaosin financiar të krijuar për më shumë se dhjetë vjet.
Gjatë krizës së saj financiare dhjetëvjeçare që ka shpërthyer në vitin 2009, Athina ishte detyruar nga huadhënësit e saj ndërkombëtarë të ulte pensionet më shumë se 10 herë, në mënyrë që të reduktonte shpenzimet shtetërore dhe të përmbushte objektivat e saj fiskale.
Greqia ka marrë tri paketa ndërkombëtare shpëtimi dhe ka kaluar nëpër trazira të mëdha ekonomike që ka bërë që shumë të rinj grekë të largoheshin nga vendi.
Kryeministri grek ka thënë se Greqia ka kaluar me sukses një faqe nga kaosi financiar.
“Për fat të mirë e gjithë kjo i përket së kaluarës. Sot Greqia është një Greqi ndryshe,” është shprehur ai.
Ekonomia e Greqisë pritet të zgjerohet me 3.2% këtë vit, sipas bankës qendrore, pak më e ulët sesa ishte parashikuar më parë për të reflektuar rritjen e pasigurisë për shkak të luftës në Ukrainë dhe inflacionit.
“Të gjithë duhet të përfitojnë nga rritja pa kërcënuar ekuilibrin fiskal ose konkurrencën ekonomike të vendit,” i ka thënë parlamentit Mitsotakis, mandati i të cilit përfundon vitin e ardhshëm, transmeton euronews.
Kryeministri konservator ka qenë nën presionin e opozitës kryesore të majtë për të thirrur zgjedhje të parakohshme për trajtimin e pandemisë së COVID nga qeveria e tij, si dhe për inflacionin dhe rritjen e çmimeve të energjisë elektrike, të cilat kanë goditur rëndë familjet.
“Tri vjet janë të mjaftueshme,” ka thënë Alexis Tsipras, kreu i partisë së majtë Syriza, në parlament. “Duhet të deklaroni sot…se vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve në shtator,” ka shtuar ai.
Ndwrsa, Mitsotakis ka përjashtuar në mënyrë të përsëritur mundësinë e një sondazhi të menjëhershëm dhe partia e tij, Demokracia e Re aktualisht kryeson në sondazhet e opinionit.
Një sondazh i kryer nga agjencia e sondazheve Alco për Open TV, përpara lajmeve për premtimin e pensionit, ka vendosur avantazhin e konservatorëve në 8.5 pikë, me një shumicë të të anketuarve që kanë thënë se presin zgjedhje në shtator-tetor.