Greva e punëtoreve teknike, Kuvendi i jep tender njëburimor kompanisë së njëjtë

Kuvendi i Kosovës ia ka vazhduar përsëri kontratën kompanisë “Shafberger” për mirëmbajtjen e objektit. Në tenderin që kompania e ka fituar për gjashtë muajt e ardhshëm, është e përcaktuar që pagat e punëtorëve nuk mund të jenë më të ulëta se 400 euro bruto. Pikërisht për pagën për tre muaj protestuan punëtoret teknike që paraprakisht punonin për këtë kompani ndërkaq të njëjtave u është thënë se do njoftohen të hënën nëse do të vazhdojnë ta kenë vendin e tyre të punës

Një ditë më parë i skadoi kontrata. Por, Kuvendi i Kosovës i ka dhënë tender përmes procedurës së negocimit kompanisë “Shafberger” e cila të paktën në tetor ka paguar punëtoret nën pagën minimale.

Tenderi kësaj kompanie për mirëmbajtjen e objektit, sipas dokumentit, i është dhënë për gjashtë muaj.

Këtë herë, Kuvendi ka saktësuar përmes tenderit se pagat e punëtorëve nuk mund të jenë më pak se 400 euro bruto në muaj.

Megjithkëtë, vlera e tenderit është mbi 80 mijë euro ose rreth 13 mijë euro në muaj.

E me marrjen e kontratës, kompania tani ka marrë vendimin e parë.

Pas dy muajsh në grevë, këtë të premte punëtoret teknike greviste janë zëvendësuar me pesë punëtore të reja për të cilat, grevistet nuk ishin në dijeni.

Pa asnjë informatë se çka do të ndodhë me fatin e tyre, të njëjtave u është thënë të presin deri të hënën.

“Dje i ka skaduar kontrata operatorit. Kur kemi ardh në punë nuk jemi lejuar brenda. Operatori kishte vendosur operatore të reja. Kemi punuar 23 vjet, s’na lejuan të hyjnë. Një njoftim na e dha një zyrtar i Kuvendit, na tha se deri të hënën bëhet lista e punëtoreve të Kuvendit, kë e thirrin vjen, kë jo shkon në shtëpi”, ka thënë Nazife Krasniqi, Greviste.

Televizioni ka tentuar të flasë me Drejtorin e Shërbimeve Teknike brenda Kuvendit, Adnan Boshnjakun, por i njëjti ka refuzuar të flasë për mediat.

E grevistet duan të kenë përgjigje rreth kontratave të reja.

“Na thanë se është nënshkruar kontrata dhe tani s’jeni punëtore të Kuvendit. Kanë marrë punëtore nga objektet e tjera, nga QKUK, nga fakultetet dhe i kanë vendos këtu. Thanë se lista del të hënën e vendosin se cilën nga ne e marrin në punë. Kontratë nuk e kemi pa dhe duam ta shohim, por asgjë s’na thanë, as nga operatori”, ka thënë Nebahate Krasniqi, Greviste.

Sipas kryetarit të Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, shkeljet kompania veçse i ka nisur.

“Kompania që ka vazhduar kontratën, për sa nuk e di, veçse bëri shkelje ligjore. Punëtorët që po i kërkojnë pagat i largoi dhe shkelja e dytë, punëtoret brenda i ka marrë nga vendet e tjera të punës. Ka bërë vepër penale. Me urdhër të kujt nuk e di por këto punëtore i vendosën jashtë. Si guxon të ndodhë kjo në Kuvendin e Kosovës?”, ka thënë Jusuf Azemi, Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës.

Pas largimit nga godina e Kuvendit, punëtoret u futën përsëri brenda me kërkesë të nënkryetares, Saranda Bogujevci.

E çuditshme për punëtoret mbetet kërkesa e saj.

“Saranda e diti që nuk ka kanë lejuar. Biseduam dhe pyeti ku jemi, erdhi na morri brenda. Tash po kërkon disa kontrata, gjëra që s’janë në rregull dhe deri të hënën, na duhet të presim. Kur kemi hyrë në grevë i kemi dërguar email por sot na kërkoi kontratat që kemi pas më herët, po kërkon me i pa me fakte”, ka thënë Nazife Krasniqi, greviste.

Televizioni ka tentuar të flasë edhe me shefin e kabinetit të Kryetarit të Kuvendit, por Ilir Kërçeli ka refuzuar të përgjigjet rreth dhënies përsëri të tenderit kësaj kompanie.

Shija e redaktorit

Stane Gashi, nëna e UÇK-së

Nue Gashi dhe heroina, gruaja Stane Gashi, kishin 11 fëmijë, 3 vajza e 8 djemë. 3 prej djemve luftuan me armë në duar nën...

Panairi i Librit në Tiranë – Dukagjini me zbritje ditore...

Panairi i Librit ka hapur dyert në Tiranë, duke sjellë për lexuesit shqiptarë botime dhe oferta që e bëjnë këtë vit të veçantë. Në stendën...

Trump emëron senatorin Marco Rubio për postin e sekretarit të...

Presidenti i zgjedhur Donald Trump njoftoi të mërkurën se ka emëruar senatorin republikan Marco Rubio për postin e sekretarit të Shtetit, në administratën e...

Të fundit nga rubrika