Greva, mungesa e pagave – çfarë ndikimi pritet të ketë largimi i kryeshefit të Trepçës?

Pasi liroi nga detyra kryeshefin e Trepçë, Bashkim Kurti shkau i anulimit të zgjedhjes së tij nga Gjykata, Bordi Mbikëqyrës i ndërmarrjes ka emëruar Faton Ahmetin si ushtrues detyre të kësaj pozite. Ky ndryshim në udhëheqje e gjen Trepçën mes shumë problemeve, nga pamundësia e sigurimit të pagave për punëtorët e deri prodhimi jo në nivel të duhur

Karrigen e Kryeshefit Ekzekutiv të ndërmarrjes “Trepça”, Bashkim Kurti nuk do ta gëzojë më.

Jo për shkak të grevës së minatorëve të cilët tash e dy muaj nuk i kanë marrë pagat, por për një vendim të Gjykatës Themelore në Mitrovicë.

Ajo ka anuluar zgjedhjen e tij në fillim këtij viti, pasi ka pranuar ankesën e kundërkandidatit të tij, për parregullsi në përbërjen e komisionit përzgjedhës dhe kushtet për menaxhimin e ndërmarrjes.

Në vendin e Kurtit tanimë ka kaluar Faton Ahmeti, i cili do të ushtrojë këtë detyrë përkohësisht, deri në zgjedhjen e kryesuesit të ri.

E megjithatë, ardhja e tij në këtë pozitë nuk jep shumë shpresë në përmisimin e gjendjes.

Por çfarë ndikimi mund të ketë ky vendim në këtë kohë jo të mirë për pozicionin e Trepçës? Ish-udhëheqësi i ndërmarrjes, Sabri Ibrahimi thotë se gjërat nuk varen vetëm nga kryeshefi.

“Nuk varet prej një njeri sepse problemi i Trepçës nuk është problem i një njeriu, është më shumë problem politik e organizativ sesa problem i një njeri. Besoj se Trepça duhet të ulët strukturat organizative sepse në një klimë politike siç është sot, konsideroj se asnjë kryeshef nuk ka mundësi ta ndryshoj. Aty ka problem të shtresuara me vite të tëra”, ka thënë Basri Ibrahimi, Ish-Kryeshef i Trepçës.

Megjithatë, Brahimi shton se aktualisht gjendja në Trepçë, sipas tij, nuk ka qenë asnjëherë më e rëndë.

“Mund të ketë ndikim por nuk është zgjidhja e problemit. Në çdo institucion, i pari i institucionit ka rëndësi të madhe sepse ai i jep orientimin drejtimit dhe menaxhimit dhe krijon klimën e punës. Nuk po e shoh se kryeshefat e rinj po krijojnë klimë të mirë të punës dhe po kanë qëllime të reja. Me informacionet që kam, gjendja në Trepçë nuk ka qenë kurrë më e keqe sesa sot”, ka thënë Ibrahimi.

Gjersa theksojnë se problemet me investimet në Trepçë janë të kahershme, njohës të ekonomisë vlerësojnë se me prioritet duhet të jetë vet transformimi i ndërmarrjes.

“Besoj që pas ndryshimeve që janë bërë, do duhet blerë një paqe me minatorët. Do iu premtohet ndonjë page e vonuar dhe do vazhdojë avazi i vjetër. Nëse ka ndonjë strategji duhet të avancohet, duhet të ketë dialog me minatorët e nëse është ndonjë formë transformimi në plan e Trepçës, duhet të avancohet”, ka thënë Safet Gërxhaliu, Njohës i ekonomisë.

Kurti u emërua kryeshef në janar të këtij viti, pas një greve 12 ditore nga ana e minatorëve.

Megjithatë, grevat për paga vazhduan edhe gjatë mandatit të Kurtit. Tash e dy muaj, minatorëve të “Stan-Tërgut” nuk u janë ekzekutuar pagat.

Një ditë më parë, tani ish-kryeshefi Kurti kishte deklaruar për Dukagjinin se pas një takimi me Ministren e Ekonomisë, pagat pritet të ekzekutohen në fillim të javës së ardhshme.

Shija e redaktorit

Walker: Ajo çka ndodhi në Reçak, ndryshoi Ballkanin

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William G. Walker, ka rikujtuar masakrën së Reçakut, duke e cilësuar atë si një moment...

“Reçak: Historia e një krimi lufte”, nga William G. Walker...

Edhe pak ditë na ndajnë nga dita kur libri “Reçak: Historia e një krimi lufte” nga William Walker-i do të shohë dritën e botimit,...

Osmani pas takimit me zëvendës-sekretarin amerikan: Kosova dhe SHBA-të do...

Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot në takim Zëvendës-Sekretarin amerikan të Shtetit për Menaxhim dhe Resurse, Richard Verma. Osmani pas takimit me zëvendës-ndihmës amerikan tha...

Të fundit nga rubrika