“Në bëjmë takime vazhdimisht brenda sindikatave, dhe mund ta konfirmojmë që për momentin ende nuk ka ndonjë lëvizje që mund të theksohet, greva është duke vazhduar në rrjedhën e vet, dhe shpresojmë e urojmë që në takimin e radhës të kemi informata pozitive, pasi kjo sinqerisht është në dorën e Qeverisë”.
Kështu ka deklaruar kryetari i Këshillit Drejtues të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Ali Gashi, duke theksuar se Qeveria e Kosovës ka hezituar t’i realizojë kërkesat e Sindikatave.
“Për një periudhë shumë të gjatë qeveria ka hezituar t’i realizojë kërkesat tona, ka hezituar që të ulemi dhe të bisedojmë për të gjitha temat, që janë të gjata”, është shprehur Gashi.
Ndërsa, për raportimet se SBAShK-u është duke shikuar mundësi për ndërprerje të grevës, ai ka thënë se është një keqkuptim pasi në grevë nuk është vetëm SBAShK-u, por edhe Federata Sindikale e Administratës Publike, dhe se grevën e ka shpallur Bashkimi i Sindikatave të Kosovës që është në diskrecionin e Këshillit Grevist në kuadër të BSK-së.
Sipas tij, greva mbyllet atëherë kur marrin sinjale edhe nga këshillat grevist edhe të SBAShK-ut edhe të SPAK-ut, por kjo, siç thotë Gashi, ende nuk është biseduar.
Gashi në intervistë për Radio Dukagjinin në emisionin “Magazina” ka thënë se ndërprerja e grevës në arsim nuk është në vullnetin e kryeministrit të Kosovës.
“Nuk është vullnet i kryeministrit ta mundësojë ndalimin e grevës, por kryeministri është një institucion i formuar me ligj dhe me kushtetutë prandaj ka edhe obligime. Pozita e kryeministrit duhet të merret me çdo kërkesë, edhe të një qytetari të vetëm apo edhe të ndonjë organizate tjetër përveç sindikatave dhe është obligim ligjor që qeveria të ulet dhe të bisedojë”, ka deklaruar Gashi.
Ai ka shtuar se, si sindikata, ashtu edhe Këshilli Grevist, janë në çdo moment të gatshëm që të arrihet një marrëveshje, e cila do të shpjerë deri te mbyllja e grevës, duke theksuar se janë në dispozicion të Qeverisë dhe presin që t’i ftojë për një marrëveshje të arritshme për pagat.