Qendrat Mjekësore në Kosovë, muajt e fundit, kanë qenë të mbushura nga numri i lartë i personave të prekur nga gripi sezonal.
Në Komunën e Podujevës, atë të Obiliqit dhe atë të Lipjanit sipas Drejtorive të Shëndetësisë, rreth 20 për qind e pacientëve të cilët kanë marrë shërbime në QMF dhe QKMF-të e këtyre komunave në tremujorin e parë të vitit kanë pasur shenja të virozave apo të gripit sezonal.
Drejtoresha e Shëndetësisë dhe e Mirqenies Sociale në Obiliq, Blerona Shabanaj-Mehmeti, për Portalin Dukagjini, ka thënë se numri i personave që kanë kërkuar ndihmë mjekësore në QKMF në Komunën e Obiliqit në periudhën Janar – Mars 2024 është 28 mijë e 112, kurse të dyshuar për grip sezonal dhe të raportuar si të tillë kanë qenë, gjithsej, 902 persona.
Kushtet e qendrave mjekësore sa i përket menaxhimit të gripit sezonal, në Komunën e Obiliqit, sipas Mehmetit janë të mira, dhe nga lista esenciale e barnave ka medikamente të mjaftueshme që jepen falas për këtë grip.
“Sa i përket rekomandimeve tona, ato zakonisht bazohen në preventive, ashtu që një numër i madh i banorëve siç janë ata në moshë të shtyrë, personat me sëmundje kronike si dhe personat me imunitet të kompromituar, duhet vaksinuar me vaksina kundër gripit, e cila vaksinë është shumë efikase dhe jepet falas, pastaj edukimi shëndetësor i popullatës se si duhet vepruar gjatë sezonës se gripit sezonal, kurse sa i përket panikut mendoj që nuk ka vend për panik”, ka thënë Mehmeti.
Ndërsa, drejtori për Shëndetësi dhe Përkujdesje Sociale në Lipjan, Shkelzen Hajdini, në një përgjigje për Portalin Dukagjini ka njoftuar se gjatë tremujorit të parë të vitit 2024 numri i vizitave mjekësore në Kujdesin Primar Shëndetësor (KPSh) në Komunën e Lipjanit ka qenë 62 mijë e 165 vizita mjekësore, shërbime shëndetësore 74 mijë e 446. Gjithsej vizita dhe shërbime shëndetësore 136 mijë e 611.
Nga ky numër, rreth 20% të pacientëve kanë qenë me shenja të virozave apo edhe të gripit sezonal, ka thënë Hajdini.
“Kushtet e institucioneve të KPSh në Komunën e Lipjanit janë të mira dhe plotësojnë të gjitha kushtet për ofrimin e kujdesit shëndetësor në nivelin parësor. Sa i përket medikamenteve të cilat janë në dispozicion falas për pacientët e diagnostikuar me gripin sezonal, janë vaksinat fillimisht(kuptohet vaksinimi duhet kryer ende pa pasur simptoma të gripit), barnat antipiretike siç janë Paracetamol, Diklofenak, Ibubrufen. Pastaj vitamina (C dhe B-comlex), kortikosteroid, antibiotikë tabletarë dhe në formë sirupe për fëmijë. Pra, barnat nga lista esenciale siç i kanë shumica e QKMF-ve në Kosovë. Po ashtu, edhe terapi parenterale (infuzione dhe Ineksione)”, ka thënë Hajdini.
Hajdini u ka bërë thirrje personave të moshuar dhe me sëmundje kronike, që të kryejnë vaksinimin me vaksinën sezonale kundër gripit çdo sezon.
Kurse, drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Podujevë, Adelina Stublla, ka thënë se vetëm brenda 12 orëve të datës 15.04.2024, dhe kjo vetëm për Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, numri i pacientëve që ka kërkuar ndihmë mjekësore është 581, ku prej tyre 107 kanë qenë me simptome të gripit sezonal.
“Kushtet e Qendrës së Mjekësisë Familjare dhe Qendrave tjera janë të mira, ngase ka kapacitete të mjaftueshme, profesionistët janë kryesisht mjekë familjarë të cilët kanë përvojë pune, kanë kryer trajnime të rregullta në kuadër të edukimit të vazhdueshëm profesional dhe furnizimi me medikamente është kryesisht i mirë, si nga Lista esenciale e MSh-së, ashtu edhe nga kontrata komunale për furnizim”, ka thënë Stublla.
Për situatat e tilla, Stublla njoftoi se janë të furnizuar me preparate, antipiretikë, analgjetikë, vitaminozë dhe në situatat e komplikimeve me infeksione sekondare bakteriale janë mirë të furnizuar edhe me lloje të ndryshme të antibiotikëve.
Portali Dukagjini ka kërkuar edhe nga Komunat e tjera si Prishtina, Fushë- Kosova e Drenasi të dijë rreth numrit dhe përhapjes së gripit sezonal, mirëpo nuk janë përgjigjur në pyetjet e dërguara.
Çdo vit, gripi sezonal është një sfidë për shëndetin publik në Kosovë, duke sjellë me vete një numër të konsiderueshëm të rasteve dhe ndikimin në shoqëri dhe ekonomi.
Institutit Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se personi i infektuar me virusin e gripit sezonal mund të infektojë të tjerët deri në 5 ditë pas lajmërimit të shenjave të gripit. Sëmundja zakonisht zgjat rreth një javë.
Çdo njeri mund të preket nga virusi i gripit sezonal dhe ta përhapë atë tek të tjerët, por disa njerëz janë në rrezik më të madh për t’u infektuar me virusin e gripit sezonal si, fëmijët e vegjël deri në moshën 5-vjeçare, të moshuarit mbi moshën 65-vjeçare, gratë shtatzëna dhe personat me sëmundje kronike.
Ngjashmëritë dhe dallimet në mes të gripit sezonal dhe COVID-19
Gripi sezonal dhe virusi COVID-19 mund të shkaktojnë simptoma të ngjashme, duke përfshirë ethe, kollë, dhimbje të trupit, lodhje dhe temperaturë të lartë. Dhe në disa raste, mund të ketë simptoma si vjellje, diarre, dhe mungesë e ndjesisë së shijes ose së nuhatjes.
Mirëpo, gripi sezonal shkaktohet nga virusë të ndryshëm gripali (influenza virusët), ndërsa COVID-19 është shkaktuar nga virusi korona, SARS-CoV-2.
Nga kush shkaktohet gripi sezonal?
Gripin sezonal e shkakton virusi gripal, i cili është një familje e virusëve të influencës. Ka disa faktorë që mund të ndikojnë në përhapjen e gripit sezonal dhe në rrezikun e përjetimit të simptomave më të rënda.
Faktorët kryesorë që mund të ndikojnë në gripin sezonal janë:
Variabiliteti i virusit: Virusi gripal ka aftësi për të ndryshuar dhe për të krijuar nënlloje të reja çdo sezon. Kjo bën që vaksinat e gripit të përditësohen çdo vit për të përfshirë nënllojet më të reja të virusit.
Imuniteti i grupeve të popullsisë: Një faktor tjetër që ndikon në përhapjen e gripit sezonal është niveli i imunitetit të një populli ndaj virusit. Grupet e popullsisë me imunitet më të dobët, si fëmijët e vegjël, të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike, janë më të prekshëm nga gripi.
Kushtet mjedisore: Temperatura dhe lagështia e ajrit mund të ndikojnë në përhapjen e gripit. Është vërtetuar që virusi gripal përhapet më lehtë në ambiente të ftohta dhe të lagështa.
Niveli i higjienës: Përdorimi i duarve dhe masat e higjienës personale, si larja e duarve me sapun dhe ujë të rrjedhshëm, ndihmojnë në parandalimin e përhapjes së gripit.
Kontakti me të infektuarit: Gripin mund ta përhapin kollitjet e personave të infektuar, gjë që bën që kontakti i ngushtë me të tjerët të rrisë rrezikun e kapjes së virusit.
Shenjat e zakonshme të gripit sezonal sipas IKShPK-së janë:
- Temperaturë e lartë
- Lodhje
- Rrjedhje të hundëve
- Dhimbje fyti
- Kollë
- Barkqitje dhe vjellje
- Dhimbje koke, barku e muskujsh
Shenjat e rrezikut tek fëmijët:
- Temperatura mbi 39 C
- Frymëmarrje të shpejtë, ose probleme me frymëmarrjen
- Ndryshim të ngjyrës së lëkurës
- Konsum të pamjaftueshëm të lëngjeve
- Ethe me skuqje të lëkurës
- Shtrëngim te qafës
Tek të rriturit vëreni:
- Vështirësi në frymëmarrje apo gulçim
- Dhimbje apo presion në gjoks apo bark
- Marramendje të papritur
- Konfuzion mendor
- Të vjella të vazhdueshme
Si të mbrohemi nga virusi i gripit sezonal?
Sipas IKShPK-së, vaksinimi mbron vetë personin dhe ndihmon në parandalimin e përhapjes së gripit. Vaksinimi kundër gripit sezonal bëhet në muajt tetor–dhjetor, efekti i vaksinës fillon 1 deri 2 javë pas marrjes dhe mbrojtja vazhdon rreth një vit pas vaksinimit. Vaksina aplikohet në pjesën e sipërme të krahut.