Të premten institucionet më të rëndësishme të sigurisë e drejtësisë ia arritën ta arrestojnë një person të dyshuar për spiunazh.
Prokuroria Speciale, Policia e Kosovës dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë pas disa muajsh hetime arritën që gruan e dyshuar ta prangosin në pikën kufitare me Serbinë, atë të Jarinjës.
Sipas informacioneve që posedon Dukagjini, e dyshuara me inicialet J.Dj i përket komunitetit serb.
Po ashtu, sipas burimeve brenda institucioneve të sigurisë, e dyshuara është punonjëse e misionit në Kosovë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, e cila njihet si OSBE.
Ajo dyshohet se i ofronte informacione Shërbimit të Inteligjencës së Serbisë, të njohur si BIA.
Prokuroria Speciale e Kosovës, të premten bëri me dije se e njëjta është ndaluar për 48 orë dhe njësitet relevante të Policisë po kryenin bastisje në banesën e të dyshuarës.
Kurse detaje nuk ka dhënë mbrëmë as drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha, pasi është pyetur në një konferencë për media të thirrur për një çështje tjetër.
Derisa hollësi nuk janë ofruar as në raportin 24 orësh policor.
Në anën tjetër, njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami po thotë se hetimi disa mujor i institucioneve tregon seriozitetin e rastit.
“Kjo lë të kuptohet se Institucionet e Republikës së Kosovës nuk i arrestojnë personat vetëm në bazë të dyshimeve por konsideroj që në momentin kur janë deklaruar që i kanë përcjellë për një kohë të gjatë, në momentin që e kanë vlerësuar që ka prova të mjaftueshme për arrestimin e asaj atëherë është bërë arrestimi”, ka thënë Avni Islami – Njohës i sigurisë.

Ky është rasti i parë që dikush arrestohet për spiunazh në vitin 2025.
Por, kujtojmë që vitin e kaluar dy shqiptarë të Kosovës, Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi kishin përfunduar në pranga me dyshimin që edhe këta kishin kryer veprën penale të spiunazhit, respektivisht bashkëpunimin me BIA-n serbe.
Sipas Kodit penal të Republikës së Kosovës vepra penale e spiunazhit hyn në kuadër të veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.
Dënimi minimal parashihet me 5 vjet burgim, kurse ai maksimal me 12 vjet.