Të shkëlqyera edhe pse me pak kontakte, janë raportet e e zëvendës kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Ai në Debat Plus, ka thënë se do të ishte më mirë nëse do të kishte më shumë komunikim mes Kurtit dhe partive shqiptare në Maqedoni të Veriut.
Janë të shkëlqyera, kontaktet nuk janë të shumta, për fat të keq. Edhe pse do të kishim dashtë të jemi më të afërt në kontakte, në përvoja, por Kosova dhe Kurti dhe gjithë kabineti qeveritar, e dinë që e kanë një avokat shumë të rëndësishëm, te Ahmeti te ne në Qeveri, për Kosovën, përfshi për liberalizimin e vizave. Më kujtohet që në Parlamentin Evropian, kemi ngritur zërin për këtë gjë, sepse ishte padrejtësi e skajshme”, ka thënë ai.
Tutje ai tha, se shpreson që Kosova në përfundim të dialogut me Serbinë, ta marrë njohjen nga Serbia, sipas tij asnjë zgjidhje tjetër nuk është e pranueshme.
“Me Kurtin po përpiqemi t’i qëndrojmë në krah, në këto ditë vendimtare, të përfundimit të dialogut me Serbinë, po shpresojmë më njohje të ndërsjellë sepse ky është synimi jonë dhe asnjë zgjidhje tjetër nuk është e pranueshme as për ne si shqiptarë të Maqedonisë së Veriut”, ka thënë ai.
Ai u shpreh se shpreson që në takimin e 18 marsit në Ohër, Kosova të arrij marrëveshje përfundimtare me Serbinë.