Grubi: Shkupi do të mirëpresë krahëhapur më 18 mars liderët e të dyja vendeve dhe vazhdimin e dialogut

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, ka thënë se Shkupi do t’i presë liderët e të dyja vendeve më 18 mars, teksa shton se pret që dialogu të vazhdojë deri në finalizim me njohjen e ndërsjellë

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, e ka cilësuar hap me rëndësi jetike për rajonin, dakordimin e Kosovës dhe Serbisë rreth përmbajtjes së propozimit evropian, të hënën në Bruksel.

Në një postim në Facebook, Grubi ka thënë se Shkupi do t’i presë liderët e të dyja vendeve më 18 mars, teksa shton se pret që dialogu të vazhdojë deri në finalizim me njohjen e ndërsjellë.

“Nuk mund të cilësohet ndryshe përveç se një hap me rëndësi jetike për stabilitetin e mbarë rajonit, dakordimi i dyanshëm rreth përmbajtjes së propozimit franko–gjerman për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, shkroi ai.

“Shkupi do të mirëpresë krahëhapur më 18 mars liderët e të dyja vendeve dhe vazhdimin e dialogut deri në finalizimin e tij me epilog njohjen e ndërsjellë”.

Sipas tij, është koha të mbyllen armiqësitë dhe “së bashku të hapërojmë drejt Europës dhe të shkruajmë kapitullin e ri të progresit”.

“Përgëzoj palët për largpamësinë dhe racionalitetin e treguar përtej dallimeve dhe impaktin e jashtëzakonshëm konstruktiv të SHBA dhe BE për ardhmërinë europiane të mbarë Ballkanit Perëndimor”, shtoi Grubi.

Ndryshe, Zyra e Kryeministrit në një komunikatë për media ka dhënë detaje për takimin e 27 shkurtit në Bruksel, ku theksohet se Kosova është treguar e gatshme të nënshkruajë “Marrëveshjen Bazë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, por që nënshkrimi është refuzuar nga Serbia.

Tutje thuhet se, edhe pse Serbia nuk është treguar e gatshme ta nënshkruajë propozimin, palët do të nisin bisedimet për planin e zbatimit.

“Palët do të fillojnë bisedimet për planin e zbatimit. Ky plan duhet të përmbajë detaje konkrete dhe të jetë gjithëpërfshirës, të ofrojë efektivitet në zbatim dhe të jetë i sekuencuar në mënyrë të balancuar”, thuhet tutje.

Po ashtu, thuhet se marrëveshja e arritur në këtë takim është mes palëve që e njohin njëra-tjetrën si të barabarta, dhe është arritur mbi bazën e respektimit të barazisë sovrane të shteteve, respektimit të pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre.

Takimi i radhës i nivelit të lartë politik pritet të mbahet gjatë muajit mars.

Shija e redaktorit

Hysni Gucati, kryetar i ri i OVL-UÇK-së

Delegatët Kuvendi i pestë zgjedhor i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ia kanë besuar një mandat 4 vjeçar Hysni...

Walker: Ajo çka ndodhi në Reçak, ndryshoi Ballkanin

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William G. Walker, ka rikujtuar masakrën së Reçakut, duke e cilësuar atë si një moment...

“Reçak: Historia e një krimi lufte”, nga William G. Walker...

Edhe pak ditë na ndajnë nga dita kur libri “Reçak: Historia e një krimi lufte” nga William Walker-i do të shohë dritën e botimit,...

Të fundit nga rubrika