Gjykata e Apelit në Dhomat e Specializuara në Hagë do të shqiptojnë të enjten e 2 shkurtit, aktgjykimin për apelin, sa i përket rastit ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, të cilët janë shpallur fajtorë në shkallën e parë.
Më 18 maj 2022, Gucati dhe Haradinaj u shpallën fajtorë për pengim të administrimit të drejtësisë, duke u dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim.
Të dytë janë në paraburgim në Hagë që nga shtatori i vitit 2020, dhe koha e kaluar në paraburgim do të llogaritet në dënim.
Avokatët e Gucatit dhe Haradinajt menjëherë pas shpalljes së aktgjykimit në shkallën e parë, e apeluan vendim duke thënë se presin zvogëlim të dënimit.
Ata kanë argumentuar se një dënim i tillë “është dukshëm i tepërt dhe përtej ndonjë dënimi të shqiptuar më përpara në ndonjë tjetër rast të krahasueshëm”.
Ndryshe, Haradinaj dhe Gucati u arrestuan më 5 shtator të vitit 2020, dhe që nga ajo kohë janë në qendrën e paraburgimit në Hagë. Dyshohej se ata po atë vit, përmes disa konferencave për media në selinë e OVL-UÇK në Prishtinë, kishin shpërndarë për gazetarët dokumente të klasifikuara të Dhomave të Specializuara.
Sipas Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Gucati dhe Haradinaj kishin zbuluar informacion të mbrojtur, duke synuar që të zbulonin qindra dëshmitarë apo dëshmitarë të mundshëm të Dhomave të Specializuara, që njihen edhe si Gjykata Speciale.
Në anën tjetër, Prokuroria e Specializuar ka argumentuar se me shqiptimin e dënimit ndaj Gucatit dhe Haradinajt, është “vendosur drejtësi”.
“Frikësimi apo hakmarrja ndaj këtyre viktimave është, sipas mendimit tim, krim shumë i rëndë që godet në zemër aftësinë e këtij institucioni për të dhënë drejtësi dhe sundimin e ligjit”, kishte deklaruar prokurori i atëhershëm i Specializuar, Jack Smith.
Në aktakuzë thuhej se dokumentet që u shpërndan nga Gucati dhe Haradinaj, kanë pasur emra të dëshmitarëve potencialë, të cilët do të mund të dëshmonin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë edhe në rastin kundër ish-presidentit, Hashim Thaçi, ish-krerëve të Kuvendit, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe pritet që gjykimi ndaj tyre të nisë në mars.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.