Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka shprehur zhgënjim të thellë për tërheqjen e Rusisë nga marrëveshja ndërkombëtare për grurin.
Marrëveshja ka qenë “jetike për sigurinë ushqimore në botë dhe shpresë në një botë me telashe”, u ka thënë Guterres gazetarëve të hënën në Nju Jork.
“Fundja, pjesëmarrja në këto marrëveshje është zgjedhje”, ka thënë Guterres.
“Mirëpo njerëzit që vuajnë dhe vendet në zhvillim nuk kanë zgjidhje. Qindra miliona njerëz përballen me uri dhe konsumatorët janë duke u përballur me krizë të rëndë të çmimeve të jetesës”.
Guterres i ka nisur një letër presidentit rus, Vladimir Putin, javën e kaluar, me disa propozime si ta ruajë marrëveshjen.
“Jam shumë i zhgënjyer që propozimi im nuk është dëgjuar”, ka thënë ai.
“Synimi ynë duhet të jetë drejt avancimit të sigurinë ushqimore globale dhe stabilitetit të çmimeve të ushqimit”.
Rusia ka thënë se është duke u tërhequr nga marrëveshja ndërkombëtare për eksportimin e grurit përmes Detit të Zi.
Në këmbim të kthimit në marrëveshje, Moska ka kërkuar heqjen e sanksioneve ndaj eksporteve të plehrave dhe ushqimeve.
Marrëveshja ndërkombëtare i ka mundësuar Ukrainës – e cila është duke u përballur me pushtimin rus – që ta transportojë grurin përmes detit.
Kremlini ka dhënë shenja edhe të kaluarën se nuk është i kënaqur me mënyrën se si është duke u zbatuar marrëveshja. /REL