Gutierrez thirrje Qeverisë: Mbroji gazetarët në vend se t’i sulmosh

"Ne i ftojmë autoritetet që t’i mbrojnë gazetarët në vend se ti sulmojnë ata"

Rangimin e Kosovës 19 vende më poshtë në raportin e Reporterëve pa Kufij e ka komentuar edhe sekretari i Federatës Evropiane të Gazetarëve.

Në një prononcim për Radio Dukagjinin, Ricardo Gutierrez ka thënë se nuk është aspak i befasuar më këtë renditje.

“Nuk jam aspak i befasuar me vendin në të cilin është vendosur Kosova në këtë raport. Autoritete nuk po reagojnë mjaftueshëm ndaj kërcënimeve dhe agjendave të intimidimit të gazetarëve”, ka thënë Gutierrez.

Gutierrez ka një thirrje edhe për autoritetet kosovare.

“Ky rangim i varfër vjen gjithashtu pas përpjekjeve obsesive të Qeverisë për mbylljen e Klan Kosovës. Ne i ftojmë autoritetet që t’i mbrojnë gazetarët në vend se t’i sulmojnë ata”, ka bërë thirrje Gutierrez.

Ndryshe, Kosova ka rënë për 19 vende në Indeksin vjetor për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij, përkatësisht këtë vit renditet në vendin e 75 në botë nga 180 shtete, për dallim nga viti i kaluar që ishte në vendin e 56-të.

Në raportin e publikuar nga Reporterët pa Kufij më 3 maj, thuhet se mediet në Kosovë, pavarësisht se vazhdojnë t’i mbajnë përgjegjës politikanët, gazetarët vazhdojnë të jenë “cak i sulmeve politike”.

“Rregullatori joefikas i medieve, Komisioni i Pavarur i Mediave [KPM], po provon të reformojë veten. Televizioni më i madh, Klan Kosova ka qenë subjekt i sulmeve administrative nga Qeveria, e cila gjithashtu e ka kërcënuar pavarësinë e transmetuesit publik, RTK, me zgjedhjen e një aleati të afërt të partisë në pushtet në postin e drejtorit. Mediat në gjuhën serbe, që janë nën presion nga forcat politike serbe, janë ankuar për diskriminim në qasje në informatat publike, sidomos në gjuhën e tyre, që është e drejtë kushtetuese për minoritetet”, thuhet në raportin e Reporterëve pa Kufij.

Në raport thuhet se gjatë vitit, gazetarët në Kosovë kanë qenë cak i sulmeve fizike dhe “rrjetet kriminale kanë penguar punën e tyre”. Në raport thuhet po ashtu se janë rritur paditë SLAPP [padi strategjike kundër pjesëmarrjes publike] ndaj gazetarëve.

“Edhe pse sulmet po hetohen nga policia dhe prokuroria, rastet rrallë ndiqen penalisht. Sulmet ndaj gazetarëve janë rritur në kohën e tensioneve politike mes Prishtinës dhe Beogradit”, thuhet në raport.

Gazetarët kanë qenë cak i sulmeve fizike gjatë raportimeve të tyre majin e vitit të kaluar në veri të Kosovës, kur u rritën tensionet në këtë zonë të banuar me shumicë serbe.

Në raportin e Reporterëve pa Kufij u tha po ashtu se mediat në Kosovë janë të varura nga reklamat qoftë “nga Qeveria apo nga partitë politike”.

“Për më tepër, përmes pronarëve të tyre, mediat private janë të ekspozuara nga ndikimi i grupeve të fuqishme politike apo biznesore. Mediat në gjuhën serbe përballen me sfida edhe më të mëdha në tregun e vogël, ku disa media varen nga financimi që vjen nga Serbia fqinje, ndërkaq mediat e pavarura nuk mund të mbijetojnë pa financim ndërkombëtar”.

Shija e redaktorit

KQZ-ja bëhet anëtare e Komitetit Ekzekutiv të Asociacionit të Trupave...

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës është zgjedhur anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Asociacionit të Trupave Zgjedhore Botërore (A-WEB) gjatë Asamblesë së Përgjithshme të...

“Forumi i Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit”, Osmani: Kosova ka dhënë...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është shprehur se Kosova mbetet një vend i angazhuar ndaj parimeve themelore të demokracisë, sundimit të ligjit dhe respektimit...

Ish-presidenti ​Moisiu: Bashkëpunimi mes ushtrisë së Shqipërisë dhe Kosovës, është...

Shqipëria dhe Kosova duhet të kenë një strategji të përbashkët të mbrojtjes, thotë ish-presidenti shqiptar, Alfred Moisiu. Moisiu thekson se dy vendet duhet të kenë...

Të fundit nga rubrika