Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka refuzuar të marrë pjesë në Samitin e Biçiçit në Mal të Zi, i cili është paraparë të mbahet nga e enjtja e 29 shtatorit e deri më një tetor.
Kjo për shkak se në ftesën që i është bërë Mehmetit, Mali i Zi i është referuar Kosovës me fusnotë.
“Ju njoftoj se nuk do të marrë pjesë në samitin e Biçiçit në Malin e Zi, i paraparë të mbahet nga data 29 shtator deri më një tetor, meqenëse Kosovës në ftesë, Mali i Zi iu është referuar me fusnotë”, ka thënë Mehmeti.
Ndryshe, në këtë samit do të marrin pjesë ministrat e Financave, guvernatorët dhe drejtorët e administratës tatimore të vendeve të Ballkanit Perëndimor nën titullin “ Stabiliteti financiar dhe monetar i rajonit në kushtet e rreziqeve të theksuara gjeopolitike”.
Ky samit, i nënti me radhë, i cili është organizuar nga Shoqata e Ekonomistëve të Serbisë, pas një pauze dyvjeçare për shkak të pandemisë me COVID-19.
Në të njëjtin do të marrin pjesë ekspertë të shumtë nga Serbia, Mali i Zi, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bosnja e Hercegovina, Kroacia e Sllovenia.
Temë e diskutimit do të jetë perspektiva pas recesionit të shkaktuar nga pandemia si dhe sfidat me të cilat do të përballet sektori financiar.
Po ashtu, do të diskutohet edhe për rritjen e inflacionit, rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore dhe energjisë elektrike.