Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, pas publikimit të listës së kandidatëve për deputetë nga LVV-ja, ka theksuar se partia e saj, Guxo është më e fortë se kurrë.
Në një postim në Facebook, ajo ka potencuar se ka gjithmonë persona që, kur nuk përfshihen në listën e kandidatëve për deputetë, aktivizohen duke sulmuar partinë dhe duke pretenduar se ajo po shuhet.
“Para se të ngazëllehen ato media, të cilat me agresivitet të pazakonshëm dhe të panevojshëm sulmojnë Partinë Guxo, më lejoni të bëj një sqarim të shkurtër! Gjithmonë ka pasur dhe do të ketë persona, të cilët kur nuk përfshihen, për arsye të ndryshme, në listën e kandidatëve për deputetë, tek atëherë aktivizohen e zgjohen. Mllefin, jo rrallë, e shprehin duke personalizuar e privatizuar strukturat partiake dhe duke pretenduar se partia po shuhet pse ata nuk janë në lista zgjedhore”, ka shkruar Gërvalla.
Gërvalla, gjithashtu kryetare e Degës së Partisë Guxo në Pejë, ka deklaruar se partia e saj është më e fortë dhe më e konsoliduar se kurrë.
Ajo ka potencuar se me listën e saj prej 15 kandidatëve, në bashkëpunim me VV dhe Alternativën, do të fitojnë fuqishëm në zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Me listën tonë prej 15 kandidatësh, në partneritet me VV dhe Alternativën, në zgjedhjet e 9 Shkurtit do të fitojmë fuqishëm e do të vazhdojmë punët e mira për Kosovën!”, ka shkruar Gërvalla, në Facebook.