Teuta Hadri, dëshmitarja e 14-të e mbrojtjes së Salih Mustafës në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, teksa ka rrëfyer për angazhimin e saj si mjeke në Zllash gjatë prillit të ‘99-ës, ka thënë se publikisht e falënderon Mustafën dhe ushtarët e tjerë për veprimtarinë dhe ndihmën e tyre gjatë luftës në Kosovë.
Ajo ka thënë se emrin Salih Mustafa e ka dëgjuar kur ka filluar gjykimi dhe se është pseudonimi “Cali”, atëherë e ka kuptuar emrin e tij, pasi gjatë luftës e ka njohur vetëm me pseudonimin “Cali”.
Të njëjtin, ajo tha se për herë të parë e ka parë një natë para ofensivës e cila, sipas saj, kishte nisur më 18 prill të vitit 1999.
“Ditën 18 prill, ditën e ofensivës, aty e kam kuptuar me nofkën e tij ‘Cali’ dhe kam pyetur ushtarët, sepse ishte komandant pedant, i zoti, e kishte lënë lirinë e vet, në vend se të ikte, vinte ndihmonte ushtarët, ndihmonte me furnizime e barna. Më 18 prill kam pyetur kush është ky djalë dhe aty kam kuptuar se është Cali”, ëhstë shprehur ajo.
Në po të njëjtën datë, ajo deklaroi se kishin nisur bombardimet e mëdha, dhe si ekip mjekësor ishin obliguar që të merrnin me vete të plagosurit, në mënyrë që të mos binin në duart e forcave serbe.
Ajo tha se nuk e ka parë më pas, duke shtuar se botërisht e publikisht e falënderon Calin e ushtarët e tjerë, pasi theksoi se falë veprimtarisë së tyre e ndihmës së tyre edhe ajo është gjallë.
Ndonëse dëshirën e kishte që ta takonte Calin dhe ushtarët e tjerë pas luftës, ajo tregon se kjo gjë nuk ndodhi asnjëherë.
Pas marrjes në pyetje nga mbrojtja, dëshmitares pritet t’i parashtrojë pyetje prokuroria pas pauzës së drekës.
Ndryshe, Hadri ka qenë përfaqësuese për shëndetësi në Zyrën politike të UÇK- së në Prishtinë prej – gusht 1998 si dhe ushtare e UÇK-së në zonat operative, Zona e Gollakut, Zona e Llapit, dhe në fund Zona e Karadakut.
Ajo ishte deputete e Partisë Demokratike të Kosovës në legjislaturën e tretë nga viti 2007 deri në vitin 2010.
Seanca e fundit në këtë rast është mbajtur më 22 prill, ku është dëgjuar dëshmitari i 13-të, Muhamet Ajeti, i cili kishte thënë se në prill të vitit 1999 nuk e ka parë Salih Mustafën në Zllash.
Mustafa është arrestuar më 24 shtator të vitit 2020 me pretendimin për krime lufte.
Aktakuza ndaj tij është konfirmuar më 12 qershor 2020.
“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.
Bëhet e ditur se në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si, krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jondërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt.
Ish-deputetja Teuta Hadri, dëshmitarja e radhës e mbrojtjes së Salih Mustafës