Enver Hajdari, anëtar i Kryesisë së Organizatës së Veteranëve të Luftës, ka thënë se drejtësia asnjëherë nuk iu është dhënë shqiptarëve, derisa e ka përshkruar se gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së për të është emocional.
“Pas përfundimit të lufës, falë gjithë kësaj ushtrie, është e dhimbshme të shohësh dhe asnjëherë nuk e kemi menduar këtë”, ka thënë Hajdari.
Hajdari ka thënë tutje se marshi që u zhvillua dje lë të kuptojë se populli e do ushtrinë e UÇK-së dhe ish-krerët e saj.
“Secili që ka ndjenja dhe ka mend e sheh që është e padrejtë dhe beson në pafajësinë e bashkëluftëtarëve dhe krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës…Këtu po akuzohet e gjithë lufta e UÇK-së, sepse kur akuzohen krerët dhe quhen ndërmarrje kriminale që asnjëherë nuk kanë ekzistuar, këta njerëz nuk e kanë vendin atje, e kanë në vendin e tyre, në tokën e tyre dhe të angazhohen në punë”, ka shtuar ai në edicionin special të RTV Dukagjini.
Hajdari është shprehur se nuk beson në Gjykatën Speciale, sepse sipas tij, e njëjta është formuar e njëanshme, “është gjyjkatë raciste domethënë i ndjek veç pjesëtarët e UÇK-së”.
“Në këtë gjykatë nuk besoj që do të ketë drejtësi”, ka theksuar ai, duke potencuar se i kontekstojnë dëshmitë, sepse sipas tij, faktet janë marrë nga Serbia.