Prangat ishin të vetmet gjëra që i pati në duar, derisa e nxorrën nga barnatorja.
Por nga aty, një person i dyshuar që u arrestua nga policia mëngjesin e së hënës, kishte shpresuar të dalë me më shumë, pasi kishte synuar grabitjen e saj.
Për rastin që ka ndodhur në lagjen Ulpiana të kryeqytetit, dëshmitarët i kanë thënë televizionit se pasi ai ka hyrë brenda në lokal, ia kanë mbyllur derën deri në mbërritjen e zyrtarëve policor.
Dhe këta të fundit, pasi kanë mbërritur e kanë arrestuar dhe shoqëruar për në stacion.
Pronarët e banatores, nuk kanë dashur të flasin për rastin, duke ua lënë atë institucioneve.
Se i njëjti ishte kapur në flagrancë e konfirmon edhe policia.
“Sot rreth orë 10:30, nga zyrtarët policor të stacionit Jugu në Prishtinë, është arrestuar një person, për të cilin ekziston dyshimi i arsyeshëm se është përfshirë në një rast të grabitjes së mbetur ne tentativë. Personi i dyshuar është arrestuar në flagrancë, në një barnatore në lagjen Ulpiana në Prishtinë”, thonë nga Policia e Kosovës.
Sipas policisë, i arrestuari dyshohet se ishte i përfshirë edhe në disa raste të natyrës së njëjtë.