Hajrullah Tërnava, njohës i çështjeve të sigurisë ka thënë se Kosova është një ndër të vetmet vende në botë që ka kushte të tilla për zyrtarët e policisë së vendit. Me këtë ai nënkupton mungesën e sigurimit dhe penzionimit të parakohshëm.
Sipas Tërnavës, Policisë së Kosovës i mungojnë “kushtet elementare” dhe nga vet fakti se 21 policë kanë humbur jetën përgjatë ushtrimit të detyrës, është pikërisht pika ku duhet bazuar që të fillojë përmisimi i kushteve.
“Na duhet të kemi sa më parë ligjin per penzionim të parakohshëm”, thotë ai.
Ndër të tjera, Tërnava ka thënë se Pjestarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë kushte shumë më të avancuara të punës.
“Për FSK-në janë më të interesun dhe ja kanë rregullu do kushte ndësa tek Policia e Kosovës, këtë aspekt nuk kanë kontribu shumë”, thotë ai gjersa thekson se policia është gjithmonë e rrezikuar.
Tërnava, njohës i çështjeve të sigurisë ka kujtuar heroin, Enver Zymberi në ditën e rënies së tij përgjatë ushtrimit të detyrës duke thënë se ky i fundit kishte qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
I ftuar në “FIVE” në RTV Dukagjini, njohësi i çëshjteve të sigurisë, Tërnava ka thënë se Zymberi ishte vrarë në rrethana jo të pritshme dhe rasti i tij, mbetet i rëndë për familjen dhe njëherësh, edhe qytetarët e Kosovës.
‘Mjerisht është shumë e dhimbshme për popullin sepse një njeri i cili e ka familjen dhe punon për t’a mbajtur atë e me ra si dëshmor gjatë veprimit e ushtrimit të detyrës së përgjithshme të tij nuk është e lehtë, veçanërisht për familjen”, ka thënë ai.
Ndër të tjera, ai e ka cilësuar të ndjerin sikurse një “djalë të urtë, sjellshëm dhe të pregaditur” megjithëse nuk e kishte njohur nga afër si shkak i pozicioneve politike të tij asokohe.
Tërnava nuk e ka përjashtuar mundësinë e zbardhjes së autorëve dhe urdhërdhënësve të rastit.
“Duke pasur parasysh situatën që jetojmë pas luftës e tash e kësaj dite nuk e qeverisim mirë atë pjesë të veriut, është fakt se rasti nuk është zbulu mirëpo rastet mund të zbulohen edhe tash e tutje… sa ma shpejt, efikasiteti është më i lartë”.
“Ka me ndodhë, jam i bindur”, thotë ai gjersa shton se janë duke u hetuar edhe rastet e ndërlidhura me të.
Ndër to, ai specifikon rastin e Radojçiq.
Radoiçiq, përmes një video-mesazhi drejtuar publikut, nga rrethina e Leposaviqit, që është një nga katër komunat në veri të Kosovës të banuara me shumicë serbe, kishte thënë se “terrori mbi popullatën serbe ka nisur”.