Haki Abazi është zëvendësuar si kryetar i Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme me deputeten Arbëreshë Kryeziu.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar rekomandimin e Vetëvendosjes për ta zëvendësuar deputetin Abazi.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, pak para nisjes së seancës në Kuvendin e Kosovës, e ka konfirmuar se është dhënë urdhër për shkarkimin e tij si kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë dhe anëtar i Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim BE-Kosovë.
Ai ka thënë se nuk do ta japë kënaqësinë në asnjë moment që të bëhet target i askujt për dështimet epokale të dy viteve të fundit që i ka ngritur në alarm.
“Do të vazhdoj që me transparencë e në mënyrë direkte t’i shpreh qëndrimet e mia për atë që ndodh përbrenda jetës politike, parlamentare dhe institucionale në Kosovë. Çështja kryesore është këtu që Kurti mendon se do të hidhërohem shumë dhe do të bëhem pjesë e atyre që duan ta rrëzojnë nga Qeveria. Vite pas marrjes së mandatit, Kurti është në kërkim të atyre që duan ta rrëzojnë nga Qeveria. Unë nuk jam votë kundër qeverisë Kurti dhe nuk do e bëj qeverinë Kurti viktimë për t’u larguar”, ka thënë ai.
Sipas tij, “opozita nuk mund ta rrëzojë Qeverinë Kurti, Grenelli nuk ekziston më, Escobar nuk mund të krahasohet me Grenell, asnjë interes të vetëm nuk e ka askush racional që të rrëzojë Qeverinë Kurti”.