Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi për Portalin Dukagjini ka thënë se në vazhdimësi, Kosova në shtypin perëndimor është prezantuar si “një tregim suksesi në ndërtimin e paqes dhe solidaritetit qytetar”.
“Të gjithë kemi bërë përpjekje për këtë pamje të vendit tonë në sytë e të huajve, sepse nuk thuhet kot se ti je ashtu siç të sheh tjetri. Një vend i vogël që arriti të bëjë vepra të mëdha – të përbashkëta – sidomos në etablimin e demokracisë liberale dhe të drejtave të njeriut e lirive civile për të gjithë, natyrisht falë rrugëtimit me miq, posaçërisht ShBA-n. Mirëpo, klasa aktuale politike duke mos ditur t’i lexojë mesazhet diplomatike e lëshoi gjuhën, duke i shndërruar marrëdhëniet me po ata aleatë, nga cilët nuk na erdhi asnjë e keqe, në zënka, për më keq në sherre! Në mungesë të rezonit shtetëror, Kosova ra në grackë të Serbisë, sepse vetëm fqinji verior dëshiron përplasjen me aleatët”, ka thënë Halimi.
Halimi ka thënë tutje se qeveria e Albin Kurtit për dy vjet “e ka përmbysur” narracionin për Kosovën në median ndërkombëtare “në një fotografi të zymtë”.
“Në kohën kur Kosova dhe qytetarët e saj po ballafaqohen me krizat e jetës së shtrenjtë dhe mungesës së vendeve të reja të punës, imazhi i tillë i vendit në arenën ndërkombëtare do të ndikojë direkt në hezitimin e investimeve të huaja”.
“Taktikat e pamatura të Kurtit, pa strategji për integrimin e serbëve kosovarë në shtet, do të t’i kushtojë Kosovës në thelb, jo vetëm në imazh, sepse pak vende në botë janë nën sanksionet amerikane dhe janë ato vende që i përkasin boshtit të së keqes. Dëmet e shkaktuara vështirë do të ndreqen, sepse i marrin Kosovës kohën e saj për prosperitet e afirmim në marrëdhëniet ndërkombëtare. Rrjedhimisht, vendi ynë ka ndërruar kursin e drejtimit, pa e ditur se në cilin breg do të ankorohet dhe kur e si do të dalë. Çmimi do të jetë i madh, fatkeqësisht!”, përfundon ajo.