Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Sibel Halimi, ka reaguar pas arrestimit të drejtorit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqit, i cili po dyshohet për kryerjen e tri veprave penale.
Ai dyshohet për veprat penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, ushtrim i ndikimit dhe konflikt interesi, thanë autoritetet.
Për këtë, Halimi ka thënë se Qeveria aktuale e Kosovës është duke synuar t’ia përshtatë edhe drejtësisë “politikën e saj populliste”.
Po ashtu, ajo ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për denigrim të institucioneve të drejtësisë në përpjekje për të mbrojtur njeriun e tyre në KEK.
“Kauzat artificiale e të rreme gjithmonë përfundojnë me dështim, por qytetarët janë ata që paguajnë tagrin. Prandaj sot partia në pushtet denigron institucionet e drejtësisë në përpjekjen për t’i dalë në mbrojtje njeriut të tyre në KEK, të prangosur për korrupsion dhe konflikt interesi”, ka shkruar ajo në rrjetin social Facebook.
“Drejtësia selektive është reforma aq e propaganduar e tyre në drejtësi, sepse për të gjitha çështjet e trumbetuara në opozitë, përditshmëria do t’na përplas fytyrës farsën e Lëvizjes Vetëvendosje dhe qëllimin e vetëm të saj, pushtetin”, ka shkruar tutje ajo.
Por, sipas saj, drejtësia selektive lëkund themelet e funksionimit të shtetit e demokracisë, dhe qytetarët e Kosovës nuk do ta lejojnë këtë.
Dyshimet për keqpërdorim të tenderëve të mërkurën e 19 prillit kanë sjellë hetuesit policorë në zyrat e Korporatës Energjetike të Kosovës.
Cak ishte bastisja e vendit të punës së drejtorit Nagip Krasniqi.
I gjithë aksioni u krye me urdhër të Prokurorisë Speciale, e cila gjatë pasdites njoftoi për arrestimin e Krasniqit.
“Policia e Kosovës, ka arrestuar një person me inicialet N.K. për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, ‘’Ushtrimi i ndikimit’’ dhe veprën penale ‘’Konflikti i interesit’”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
Përveç zyrave të KEK-ut, Prokuroria njoftoi se bastisje u kryen edhe në dy banesa të Krasniqit në Prishtinë.
E në gjithë këtë aksion, u sekuestruan dokumente të ndryshme të cilat ndërlidhen me rastin, si dhe tre kompjutera, një llap-top, një celular dhe një USB.
Televizioni Dukagjini mëson se Krasniqi po dyshohet për përfshirje në keqpërdorime të mundshme në dy tenderë.
Njëri prej tyre ka të bëjë me një kontratë për renovimin e kaldajave në bllokun A5 të Termocentralit “Kosova A”.
Kjo kontratë ka vlerë 3 milionë e 490 mijë euro dhe u nënshkrua në fillim të këtij viti.
E i gjithë aksioni, që nga nisja e bastisjes në zyrat e KEK-ut, e deri tek arrestimi i Krasniqit, është përcjellë me disa situata.
Përgjatë bastisjes, Krasniqi është ankuar se nuk është mirë me shëndet. Kështu ai është dërguar për kontroll në QKUK.
Mirëpo, drejtori i Emergjencës, Naser Syla, ka konfirmuar për Televizionin Dukagjini se Krasniqi refuzoi të kontrollohet, duke u kthyer prapa me policët.
Nagip Krasniqi, që prej emërimit si kryeshef i KEK-ut, është cilësuar si njeri i afërt me partinë në pushtet, Vetëvendosjen.
Për disa vite ai ka drejtuar Komitetin për Energji në këtë parti, kurse kryeshef i KEK-ut u zgjodh nga Bordi i përkohshëm, i cili ishte emëruar nga Qeveria Kurti. Krasniqi do të qëndrojë për të paktën 48 orë në ndalim para një kërkese të Prokurorisë për masën tutje të sigurisë ndaj tij.