Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti, në emisionin “FIVE” në RTV Dukagjini, ka thënë se në ditën e sulmit në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator ndaj Policisë së Kosovës nga terroristët, në Kosovë ishte shefi i BIA-s, Aleksandar Vulin.
“Vulin, ish-shefi i shërbimeve sekrete serbe ishte në Banjskë, ishte në veriun e Mitrovicës dhe askush nuk e tha, por diplomacia funksionon pak më ndryshe prej ne që mendojmë, por ai u detyrua të japë dorëheqje në Serbi”.
“Ai ishte në Kosovë gjatë sulmit në Banjskë”, ka thënë tutje deputeti i PDK-së.
Haliti ka thënë se ndërkombëtarët janë në dijeni që Vulin ndodhej atje në atë periudhë kohore.
“Ndërkombëtarët e dinë që Vulin ka qenë atje në atë periudhë…Vetë fakti që s’po bëhet raporti për atë që ka ndodhë në veriun e Kosovës flet që demokracia është duke vepruar me qëllim që disa çështje të heshten dhe raportet e bisedimet të shkojnë në përmbyllje të kësaj situate”, ka shtuar ai.
Haliti është shprehur se duhet të ndiqet rruga diplomatike.
Deputeti PDK-së me kritika ndaj alarmeve të Kurtit e Sveçlës se Serbia po bën plane për sulm ndaj Kosovës
Deputeti i PDK-së, Haliti, tutje në emisionin “FIVE” në RTV Dukagjini, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për deklaratat e tyre se Serbia po bën plane për sulm në Kosovë.
Haliti ka thënë se me këto deklarata po i frikësojnë qytetarët, dhe i cilësoi si të papërgjegjshme.
Sipas tij, për këtë fundvit do të duhej të raportonin për sukseset dhe të flisnin për planet e së ardhmes.
“Me këto deklarata po i frikësojnë qytetarët dhe besoj që për këtë fundvit do të duhej të raportonin për sukseset dhe të flisnin për planet e së ardhmes. Nuk besoj që Serbia ushtarakisht është duke u përgatitur të sulmojë Kosovën, jo pse do të dyshonte që të paktën ta gllabëronte veriun, por, sepse, nuk e ka fuqinë të gllabërojë veriun e Kosovës me forca ushtarake, në kushtet kur në Kosovë është NATO. Prekja e kufirit me Kosovën do të thotë luftë me NATO-n”, ka thënë Haliti.