Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, ka thënë se në të kaluarën në raste kur ka pasur shkelje Kushtetuese ka pasur pasoja, e duke pasuar dorëheqjen e dy presidentëve për shkelje Kushtetuese, Fatmir Sejdiu e Behgjet Pacolli.
Kështu ka thënë ai pasi Gjykata Kushtetuese ditë më parë e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, pas kërkesës për vlerësim të kushtetutshmërisë së tij nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, vitin e shkuar.
“Tani shkeljet Kushtetuese për të kaluarën po flas, pas çdo shkelje Kushtetuese të konstatuar në Gjykata ka pasur pasoja, janë dorëhequr dy presidentë për shkelje Kushtetuese. Kjo çështja e Këshillit Prokurorial, mendoj që ata duhet me pa edhe deputet duhet me pa se si mund të konstatohet ose si është konstatuar, unë s’e kam parë atë aktgjykimin, në përputhje me atë nuk mund të flas, për aktgjykimin, por në qoftë se është konstatuar që ka pasur shkelje Kushtetuese atëherë e vërteta duhet të ketë pasoja”, tha Haliti për EO.
Ndryshe, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për shpalljen si të pavlefshëm të ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) nga Gjykata Kushtetuese ka thënë se është një goditje për reformën në drejtësi.
Në emisionin “FIVE” të RTV Dukagjini, Haxhiu ka thënë se problemi me njoftimin e Gjykatës Kushtetuese është se në njërën anë konfirmon korporatizmin e Këshillit Prokurorial, por në anën tjetër thotë se anëtarëve nuk mund t’u ndërpritet mandati.
Sipas një njoftimi për media të premten, kjo gjykatë ka bërë të ditur se pas vlerësimit të ligjit bazuar në kërkesat e deputetëve të PDK-së dhe LDK-së, disa nene të këtij ligji janë vlerësuar në mospërputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Me ndryshimet në Ligjin për KPK-në, ndërrohej mënyra e funksionimit të Këshillit Prokurorial por edhe përbërja e këtij këshilli.
Sipas vendimit të Kushtetueses, ligji bie ndesh me nenet e Kushtetutës për Formën e Qeverisjes dhe Ndarjen e Pushtetit, Kompetencat e Kuvendit, Rolin e Avokatit të Popullit, Barazinë para Ligjit, e nenin për Këshillin Prokurorial. Duke numëruar konstatimet për mospërputhshmëri me Kushtetutën, Gjykata Kushtetuese ka njoftuar se ka vendosur që “të shpallë të pavlefshëm, në tërësinë e tij, Ligjin nr.08/L-136 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës”.
Palët që kishin parashtruar kërkesën ishin ankuar edhe se ndryshimi i përbërjes zvogëlon proporcionin në mes të anëtarëve prokurorë dhe joprokurorë, e, sipas pretendimeve, vendimmarrja e një institucioni të pavarur kushtetues do të nënshtrohej ndaj vullnetit politik të shumicës në Kuvend, që do t’i zgjidhte anëtarët joprokurorë të Këshillit.
Në Ligjin e kontestuar, KPK-ja parashihej të përbëhej nga shtatë anëtarë, përfshirë kryeprokurorin, dhe tre anëtarë prokurorë të përzgjedhur nga sistemi prokurorial dhe tre joprokurorë.
Në të kaluarën KPK-ja përbëhej nga nëntë anëtarë prokurorë të zgjedhur nga sistemi prokurorial dhe tre anëtarë joprokurorë të përzgjedhur nga Kuvendi, sipas propozimeve të Odës së Avokatëve dhe Fakulteteve Juridike dhe konkursit publik.
Megjithatë, Gjykata ka konstatuar se përbërja, proporcioni në mes të anëtarëve prokurorë të përzgjedhur dhe joprokurorë, me garancitë për të shmangur “politizimin”, ky ligj s’ka qenë në kundërshtim me Kushtetutën.
Kushtetuesja ka thënë po ashtu se përzgjedhja e anëtarëve joprokurorë me shumicë të deputetëve të pranishëm dhe që votojnë në Kuvend, s’është në kundërshtim me Kushtetutën.
Gjykata ka sqaruar që kompetenca e Avokatit të Popullit për të zgjedhur anëtarë joprokurorë të KPK-së s’është në përputhje me Kushtetutën.
Ky ligj ka paraparë po ashtu që vendimmarrja të bëhet me pesë vota nga shtatë anëtarët, me kushtin që në shumicë të jetë të paktën një votë e një anëtari joprokuror.
Kjo, sipas Kushtetueses, s’është në përputhje me pavarësinë kushtetuese. Në aktgjykim thuhet se “vendimmarrja në KPK, do të mund të kushtëzohej nga vota e njërit nga anëtarët joprokurorë të zgjedhur nga Kuvendi me shumicë të thjeshtë”.
Gjykata ka arsyetuar shpalljen e pavlefshme të ligjit me “vështirësitë e zbatimit të tij”.