Hamasi dhe Izraeli vazhdojnë këmbimin e pengjeve me të burgosur

Grupi radikal palestinez, Hamas – i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – më 8 shkurt ka liruar tri pengje izraelite dhe Izraeli pritet të lirojë 183 të burgosur që mban në burgje.

Ky është këmbimi i pestë që nga hyrja në fuqi e armëpushimit të brishtë në Rripin e Gazës në muajin janar.

Dhjetëra luftëtarë të armatosur të Hamasit formuan një kordon sigurie në një zonë në qytetin Deir el-Balah, me gjasë për të kontrolluar masën e mbledhur për të parë lirimin e pengjeve.

Në “Sheshin e pengjeve” në Tel Aviv qindra njerëz pritet që të mblidhen për të mirëpritur pengjet e liruara dhe aty është i vendosur një ekran i madh ku numërohen ditët, orët, minutat dhe sekondat që nga sulmi i paprecedent i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, kur u vranë afër 1.200 persona dhe u rrëmbyen afër 250 të tjerë.

Pengjet që janë liruar janë Eli Sharabi, Or Levy dhe Ohad Ben Ami.

Sharabi, 55-vjeç, ishte në shtëpinë e tij në Beri së bashku me gruan e tij dhe dy vajzat kur Hamasi nisi sulmin. Trupat e gruas dhe dy vajzave të tij më vonë u identifikuan.

Levy ishte rrëmbyer në festivalin e muzikës Nova, kur sulmuesit vranë gruan e tij dhe e rrëmbyen atë. Ndërkaq, Ben Ami, i cili ka shtetësi të Izraelit dhe Gjermanisë, ishte në robëri kur mbushi 56 vjeç.

Izraeli dhe Hamasi kanë kryer katër këmbime, kur janë liruar 18 pengje në këmbim të afër 600 personave, kryesisht të burgosur palestinezë që u liruan nga burgjet izraelite.

Armëpushimi, i ndërmjetësuar nga SHBA-ja, Katari dhe Egjipti, synon lirimin e 33 pengjeve gjatë fazës së parë 42-ditore të marrëveshjes.

Negociatat për fazën e dytë të armëpushimit pritet të nisin të hënën, por ende nuk dihen detaje për bisedimet.

Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se pas këtij këmbimi, një delegacion izraelit do të niset për në Doha për negociata të mëtejme për armëpushimin.

Në fazën e dytë synohet lirimi i më shumë pengjeve dhe hapja e rrugës për përfundimin e përhershëm të luftës, që nisi më 7 tetor 2023.

Si pasojë e kundërpërgjigjes izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 47.000 palestinezë dhe enklava ka pësuar dëme të mëdha./Radio Evropa e Lire

Shija e redaktorit

Nora Gjakova fiton medaljen e bronztë në Paris

Nora Gjakova e ka fituar medaljen e argjendtë në Grand Slamin e Parisit, që është e treta nga Franca për Kosovën. Gjakova e fitoi duelin...

Distria e fiton medaljen e bronzt në Grand Slamin e...

Distria Krasniqi ka fituar medaljen e bronztë në Grand Slamin e xhudos që po mbahet në Paris. Xhudistja kosovare fitoi me waz-ari ndaj xhudistet nga...

Shkruan Romeo Çollaku, përkthyesi i romanit “Lugina e lumit Issa”...

Përkthyesi i librit, Romeo Çollaku, ndan me lexuesit historinë e “Lugina e lumit Issa” shkruar nga autori polak Czesław Miłosz. Nga ROMEO ÇOLLAKU Romani Lugina e lumit...

Të fundit nga rubrika