Hamasi tha të martën se po shqyrtonte një propozim të ri për armëpushim dhe lirim të pengjeve në Gazë, të paraqitur nga ndërmjetësit pas bisedimeve me Izraelin, në atë që dukej të ishte nisma më serioze e paqes për muaj të tërë.
Një zyrtar i lartë i Hamasit tha se propozimi përfshinte një armëpushim me tri faza, gjatë të cilës grupi fillimisht do t’i lironte civilët e mbetur në mesin e pengjeve që i rrëmbeu më 7 tetor, pastaj ushtarët dhe në fund trupat e pengjeve që u vranë.
Zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti, nuk tregoi se sa do të zgjasin tri fazat ose çfarë parashikohej të pasonte fazën përfundimtare.
Por, kjo është hera e parë që publikohen detaje të një propozimi të ri, që po shqyrtohet nga të dyja palët që nga ndërprerja e shkurtër e luftimeve në fund të nëntorit.
Propozimi i armëpushimit pasoi bisedimet në Paris, ku morën pjesë drejtori i CIA-s, William Burns, kryeministri i Katarit, shefi i shërbimit izraelit të zbulimit Mossad dhe kreu i shërbimit egjiptian të zbulimit.
Shefi i Hamasit, Ismail Haniyeh tha se do të shkonte në Kajro për të diskutuar propozimin, udhëtimi i tij të parë publik atje për më shumë se një muaj.
Por, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, përsëriti zotimin e tij për të mos i tërhequr trupat nga Rripi i Gazës deri në “fitoren përfundimtare”, që konfirmon hendekun e madh në qëndrimet publike të palëve ndërluftuese rreth asaj se çfarë duhet bërë për të ndalur luftimet qoftë edhe përkohësisht.
Hamasi, luftëtarët e të cilit sulmuan qytetet izraelite më 7 tetor duke vrarë 1200 njerëz dhe duke kapur 253 pengje, thotë se do të lirojë pengjet e mbetura vetëm si pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë për t’i dhënë fund luftës përgjithmonë.
Izraeli, i cili sipas të dhënave të Hamasit, të pakonfirmuara në mënyrë të pavarur, ka vrarë më shumë se 26,000 palestinezë deri më tani në një luftë që ka shkatërruar territorin, thotë se nuk do të ndalojë së luftuari derisa grupi militant, që ka sunduar Gazën që nga viti 2007, të çrrënjoset plotësisht.
Netanyahu është nën trysni nga aleati më i afërt i Izraelit, Shtetet e Bashkuara për të përcaktuar një rrugë të qartë drejt përfundimit të luftës, dhe nën trysni brenda vendit nga të afërmit e pengjeve që druhen se negociatat janë mënyra e vetme për t’i kthyer ata në shtëpi. Por partitë e ekstremit të djathtë në koalicionin e tij qeverisës thonë se do të tërhiqen në vend që të miratojnë një marrëveshje për lirimin e pengjeve që lë Hamasin të paprekur.
SULMI NË SPITAL
Përparimet diplomatike u njoftuan disa orë pasi forcat specialie izraelite, të maskuar si punonjës mjekësorë dhe gra myslimane, hynë në një spital në Bregun Perëndimor dhe vranë tre militantë palestinezë, duke përfshirë një luftëtar të paralizuar që u qëllua për vdekje në shtratin ku po trajtohej.
Në pamjet e kamerave të sigurisë nga operacioni në spitalin Ibn Sina të qytetit të Xheninit në Bregun Perëndimor, shihen rreth 12 anëtarë të forcave speciale, duke përfshirë tre me veshje grash dhe dy të veshur si anëtarë të personelit mjekësor palestinez, duke kaluar nëpër një korridor me pushkë në duar.
Hamasi tha se një nga të vrarët ishte anëtar i tyre. Xhihadi Islamik tha se dy të vrarët e tjerë ishin vëllezër që i përkisnin organizatës së tyre. Zyrtarët e spitalit Ibn Sina thanë se njëri nga vëllezërit kishte marrë trajtim për një lëndim që i kishte paralizuar këmbët.
Ushtria izraelite tha se njëri nga të vrarët ishte i armatosur dhe njëri po planifikonte një sulm ndaj Izraelit të ngjashëm me atë të 7 tetorit nga brenda spitalit. Ai tha se incidenti tregoi se militantët po përdornin zonat civile dhe spitalet për t’u fshehur dhe si “mburoja njerëzore”./VOA