Hamasi ka pranuar një draft marrëveshje për armëpushim në Rripin e Gazës dhe lirimin e dhjetëra pengjeve, kanë deklaruar dy zyrtarë të përfshirë në bisedime.
Negociatat janë në “pikën më të afërt” për nënshkrimin e marrëveshjes, tha ndërmjetësi nga Katari.
Sipas zyrtarëve, një zyrtar egjiptian dhe një i Hamasit kanë konfirmuar autenticitetin e marrëveshjes, ndërsa një zyrtar izraelit ka theksuar se është bërë përparim dhe detajet janë duke u finalizuar, raporton AP.
Marrëveshja pritet të paraqitet për miratim në kabinetin izraelit. Shtetet e Bashkuara, Egjipti dhe Katari kanë ndërmjetësuar për të ndaluar luftën 15-mujore dhe për të siguruar lirimin e dhjetëra pengjeve të kapur në sulmin e Hamasit më 7 tetor 2023.
Rreth 100 izraelitë janë ende të mbajtur robër në Gaza, dhe ushtria beson se të paktën një e treta e tyre janë të vdekur.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed al-Ansari, tha se negociatat janë pozitive dhe produktive, duke theksuar se marrëveshja është në fazën përfundimtare.
Nga ana tjetër, Hamasi ka njoftuar se negociatat kanë arritur në “fazën e tyre përfundimtare”.
Lufta ka shkaktuar shkatërrimin e disa zonave të Gazës dhe ka zhvendosur rreth 90% të popullsisë prej 2.3 milionë banorësh, ndërsa shumica e tyre janë strehuar në kampe tendash.
Sulmet izraelite vazhdojnë, dhe gjatë natës dhe të martën janë raportuar të paktën 18 viktima palestineze, përfshirë dy gra dhe katër fëmijë.