Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza në tubimin elektoral në Ferizaj, ka theksuar se fryma e fitores që po i përcjell në këtë qytet, ashtu dhe në Prishtinë, do të vazhdojë gjithandej Kosovës.
Madje, ai shtoi se është krenar që është kandidati për kryeministër nga PDK-ja, parti kjo që u themelua nga ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi e Kadri Veseli.
“Kjo frymë e fitores në Prishtinë, e sonte këtu në Ferizaj, do të vazhdojë gjithandej Kosovës”.
“Jam shumë i lumtur, jam shumë i nderuar. Është privilegj për mua që sonte jam në qytetin e bukur të Ferizajt, në mesin e njerëzve të mirë, njerëzve punëtorë, njerëzve të suksesshëm. Ferizaj është qyteti me transformimin më të madh pas luftë. Është falë njerëzve punëtorë, falë njerëzve të dijshëm, por mbi të gjitha falë Agim Aliut”, tha Hamza.
“Jam krenar që jam kandidat për kryeministër prej Partisë Demokratike të Kosovës, parti që e kanë themeluar dhe udhëhequr dy liderët tanë më të suksesshëm, të cilët janë krijues të shtetit të Kosovës, Hashim Thaçi e Kadri Veseli. Respekt deri në përulje për vlerat e UÇK-së, faleminderit gjithmonë”.