Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza, njëherësh kandidat i PDK-së për kryeministër, ka deklaruar se hapja e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë duhet të realizohet vetëm në bashkërendim me NATO-n dhe aleatët strategjikë të Kosovës.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Hamza theksoi rëndësinë e shmangies së veprimeve që mund të çojnë në tensionim të situatës dhe nënvizoi nevojën për koordinim me trupat e KFOR-it dhe diplomatët e vendeve mike të Kosovës.
“Duhet të ketë bashkëpunim, bashkërendim dhe koordinim me NATO-n , që ka trupat e vet në kuadër të KFOR-it, me ambasadat në Kosovë, me diplomacitë e vendeve mike me qëllim që të mos shkaktohet një situatë që në vend që të ketë progres të lëvizim në regres dhe të përballemi me një situatë e cila më pastaj do ta bllokonte urën për lëvizje për një kohë më të gjatë”, ka thënë Hamza.
Ai vuri në dukje se çështja e urës ishte pjesë e diskutimeve të tij me zyrtarë amerikanë gjatë vizitës së tij në Uashington.
Institucionet kosovare kanë filluar testimin e qëndrueshmërisë së urës mbi lumin Ibër, duke përgatitur hapjen e saj për qarkullimin e makinave. Ky veprim ka hasur në kundërshtime nga KFOR-i dhe diplomatët perëndimorë, të cilët paralajmërojnë se hapja e njëanshme mund të përshkallëzojë situatën.
Ndërkohë, Qeveria e sheh hapjen e urës si një simbol të normalizimit të marrëdhënieve ndëretnike ndërmjet veriut me shumicë serbe dhe jugut me shumicë shqiptare, një hap drejt përmirësimit të bashkëjetesës në Mitrovicë.
Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza, kërkon që hapja e urës mbi lumin Ibër të bëhet në koordinim me NATO-n dhe aleatët strategjikë të Kosovës për të shmangur tensionet