Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka deklaruar se është i gatshëm të marrë përgjegjësitë për krijimin e institucioneve të reja nëse partia e parë nuk arrin ta formojë Qeverinë.
Në një konferencë për media, Hamza theksoi nevojën urgjente për institucione funksionale, duke kritikuar zvarritjen e procesit pas zgjedhjeve.
“Unë besoj që duke respektuar Kushtetutën partia e parë do të provoj në kohë dhe pa vonesa formimin e institucioneve. Në rast se partia e parë nuk arrin brenda afateve ligjore dhe kushtetutës unë jam i gatshëm si kandidat i PDK-së të marr përgjegjësi për formimin e qeverisë”, ka theksuar Hamza.
Hamza, i cili dje dha dorëheqje nga pozita e deputetit, por vijon të jetë kryetar i Mitrovicës, tha se nuk dëshiron që komuna të shkojë në zgjedhje të reja.
Sa i përket negociatave për krijimin e Qeverisë, ai tha se ka arritur përparim me disa parti, por ende nuk ka një formulë të dakorduar me LDK-në.
“Sa i përket krijimit të qeverisë ne kemi marr iniciativë, i kemi ftuar dhe i kemi takuar partitë e tjera . Me VV deri në këtë moment nuk kemi komunikim zyrtar. Nuk kemi bërë ftesë, nuk na kanë bërë ftesë, dihet e kujt është radha. Është e preferuar krijimi i qeverisë me LDK dhe partitë e tjera opozitare.
Me disa parti jemi në rregull, mundemi me ardhë te formula për komponimin e Qeverisë. Ndërsa me LDK ende nuk kemi arritë të formula për formimin e Qeverisë…”, ka theksuar ai.
“Me VV nuk kemi kurrfarë komunikimi zyrtar, s’kemi pranu e dërgu ftesë. Për shkak të bindjeve, koncepteve, për mua është e preferushme Qeveria me LDK dhe partitë tjera…”, ka shtuar ai.
Hamza gjithashtu theksoi se procesi i zgjedhjes së Presidentit është i ndarë nga formimi i Qeverisë dhe nuk mund të jetë pengesë për krijimin e institucioneve.
“Sa i përket çështjes së presidentit është proces i ndarë, gjithmonë ka qenë sfiduese çështja e presidentit në Kosovë, megjithëse atë asnjëherë në Kosovë vendi nuk ka shkuar në zgjedhje për shkak të presidentit apo presidente”, ka thënë Hamza.