Të premten e 20 tetorit në Fakultetin Filozofik në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” filloi për herë të parë të mbahet Simpoziumi Ndërkombëtar Ndër/Transdisiplinar “Filozofema” për Filozofinë, Artin dhe Teknologjinë.
Në këtë ngjarje kanë marr pjesë filozof e teoricien të shquar ndërkombëtarë dhe vendor.
Drejtori i Simpoziumit “Filozofema”, Ridvan Emini në fjalën e tij hyrëse të hapjes së punimeve të kësaj konference ndërkombëtare tha se ideja e mbajtjes së këtij Simpoziumi është që kjo të bëhet një traditë në Prishtinë, ku do të trajtohen tema të ndryshme nga fusha e filozofisë, artit dhe teknologjisë.
“Ideja e këtij simpoziumi është që të kthehet në një traditë Prishtina ta ketë një simpozium të tillë të përvjetshëm”duke shtuar se si Shoqatë e Filozofëve të Kosovës(SHFK) “kemi zgjeruar aktivitet tona”, tha Emini.
Ai tutje tregoi se ky simpozium po mbahet për herën e parë në Kosovë dhe se, synim e përkushtim i tij si drejtor mbetet që “Prishtina të identifikohet me këtë simpozium”.
Emini ka falënderuar kryeqytetin për përkrahjen financiare dhe UP-në për mbështetjen e ofruar.
Astrit Salihu, kryetar i Shoqatës së Filozofëve të Kosovës(SHFK), tha se presin që Simpozium të bëhet tradicional ku do të trajtohen tema shumë të rëndësishme.
“Shoqata e Filozofë ka filluar që t’i shtrijë aktivitete e veta në afirmimin e mendimit filozofik. Simpoziumi “Filozofema” është një vazhdimësi i një projekti që patëm nis vite më parë si emission me po të njëjtin emër “Filozofema”. Ai ka qenë një emision i suksesshëm, tregon fakti se është transmetuar gjashtë vite me radhë dhe prej ati emisioni tashmë janë përgatitur tri vëllime të librit, po pritet që të përgatitet edhe i katërti i veprave”, tha Salihu.
Prorektori i Fakulteti Filozofik, Dorajt Imeri, ka falënderuar organizatorët duke thënë se ky simpozium do të jetë një vlerë në diskutimin filozofik.
“Organizimi i kësaj nuk është sa për të vendosur një tik në tabelën e angazhimeve, por për ta bërë atë një vlerë të pa cenueshme të diskutimit filozofik dhe debatit akademik”, tha ai.
Valon Leci, shefi i Departamentit të Filozofisë, tha se në kohën kur inteligjenca artificiale është shumë e përdorshme është e shumë e nevojshme inteligjenca humane për ruajtjen e humanitetit të njeriut.
“Filozofia është e domosdoshme me i ndez dritat për ruajtjen e humanizmit sidomos sot kur në atë botën ku inteligjenca artificiale arrin që me dhënë përgjigje marramendëse dhe në sekonda për gjithçka…besoj që më shumë se kurrë na nevojitet inteligjenca humane për të bërë pyetej. Nëse inteligjenca artificiale na jep përgjigje, inteligjenca humane na duhet që të bëjmë pyetje dhe të tentojmë që të ruajmë humanitetin dhe njeriun ashtu siç është”, tha ai në fjalën e tij në hapjen e punimeve të simpoziumit.
Në këtë simpozium do të ligjërojnë: Alan Malachowski (Afrika e Jugut), Ismail Tasholli (Kosova), Ridvan Emini (Kosova), Matija Vigato (Kroacia), Katarina Kolozova (Maqedonia e Veriut), Henk Oosterling (Holanda), Liburn Jupolli (Kosova) dhe Boris Groys (SHBA).
Ky simpozium do të mbahet me 20 dhe 21 tetor.