Ministria e Financave ka njoftuar se është hapur aplikimi për punëtorët e sektorit privat.
Kjo ministri ka publikuar linkun me anë të së cilit, qytetarët do të mund të aplikojnë në mënyrë elektronike, duke plotësuar një formular me të dhënat e tyre personale.
“Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve njofton qytetarët se ka hapur formën e aplikimit për mbështetje për punëtorët që nuk marrin pagë nga buxheti i shtetit. Aplikimi për mbështetje do të bëhet në mënyrë elektronike, duke plotësuar formularin me të dhënat personale”, thuhet në njoftim.
Kusht për të përfituar nga kjo masë është që punëtori të ketë qenë i deklaruar si i punësuar në periudhën tatimore shkurt 2022.
“Punëtorët të cilët janë deklaruar nga punëdhënësi në periudhën tatimore mars 2022, mund të aplikojnë, mirëpo subvencionin do të mund ta përfitojnë vetëm pasi të jenë deklaruar edhe për periudhat tatimore prill dhe maj, që nënkupton se subvencionin do të mund ta marrin në fund të muajit qershor 2022”, thuhet në njoftim.
Aplikimi do të jetë i hapur nga data 21 prill deri më 20 maj 2022.
Më 12 prill të këtij viti, Qeveria e Kosovës, kishte marrë vendim që të ndajë nga 100 euro për punëtorët e sektorit publik dhe atij privat.
Kështu e kishin deklaruar kryeministri Albin Kurti, dhe Ministri i Financave Hekuran Murati, të cilët kishin treguar se nga 100 euro do të kenë mundësi t’i marrin, edhe kategoritë e tjera, sikurse pensionistët dhe studentët e universiteteve publike.