Hapet pikëkalimi Egjipt – Gazë për futjen e ndihmave për palestinezët

Pikëkalimi kufitar në mes të Egjiptit dhe Gazës është hapur, duke mundësuar dërgimin e ndihmave humanitare për palestinezët

Kamionët me ndihma humanitare arrijnë në pikëkalimin kufitar Egjipt-Gaza, 21 tetor 2023. Foto: Reuters

Pikëkalimi kufitar në mes të Egjiptit dhe Gazës është hapur të shtunën, duke mundësuar dërgimin e ndihmave tejet të nevojshme humanitare për palestinezët, të cilët kanë mbetur pothuajse pa ushqim, ilaçe dhe ujë në territorin e tyre të rrethuar nga Izraeli.

Më shumë se 200 kamionë të mbushur me rreth 3.000 tonë ndihma humanitare janë vendosur që disa ditë pranë pikëkalimit kufitar, në pritje për t’u futur në Gazë.

Associated Press raportoi se i ka parë kamionët duke u futur në Gazë.

Izraeli e rrethoi dhe e bllokoi Rripin e Gazës duke e nisur një valë bombardimesh, pas sulmit të tërbuar të militantëve të Hamasit në qytetet jugore të Izraelit më 7 tetor.

Shumë njerëz në Gazë, të cilët nuk kanë mundësi ta hanë më shumë se një shujtë ushqim në ditë dhe s’kanë ujë të mjaftueshëm të pijes, janë duke pritur për ndihmat e shumënevojshme.

Spitalet, po ashtu, kanë nevojë urgjente për furnizime me ilaçe dhe karburant për gjeneratorët e tyre, në përpjekje për t’i shëruar qindra njerëz të plagosur nga bombardimet.

Qindra persona me pasaporta të huaja janë parë, po ashtu, duke pritur për të kaluar nga Gaza në Egjipt, për t’i ikur konfliktit.

Më 18 tetor, Qeveria izraelite njoftoi se do ta lejonte futjen e ndihmave humanitare në Rripin e rrethuar të Gazës përmes pikëkalimit kufitar me Egjiptin, pas vizitës së presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, në Tel Aviv atë ditë.

Por, Izraeli – i cili i kontrollon pothuajse të gjitha pikëkalimet e Gazës – theksoi se nuk do të lejojë futjen e ndihmave përmes tokës së vet “derisa të lirohen të gjitha pengjet”.

Më shumë se 1.400 njerëz janë vrarë në Izrael, dhe së paku 199 të tjerë janë rrëmbyer, përfshirë fëmijë, nga Hamasi dhe janë dërguar në Gaza, sipas autoriteteve izraelite.

Dy pengje amerikane, nënë e bijë, u liruan dje.
Ndërkohë, zyrtarët palestinezë thonë se më shumë se 4.000 palestinezë janë vrarë në Gazë nga bombardimet izraelite që nga 7 tetori. /REL

Shija e redaktorit

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të...

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së...

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Të fundit nga rubrika