Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se do të kemi muzeun e Gjenocidit dhe Përpjekjes për Liri së shpejti në vend.
Kështu ka njoftuar kryeministri i vendit, Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të qeverisë ku tha se Kosova do ta ketë një muze të dinjitetshëm ku do të tregohen krimet e Serbisë ndaj popullit tone.
“Ende janë të njoma dhe të hapura plagë të shumta dhe ende është e rëndë dhimbja e pikëllimi nga vrasjet, masakrat dhe krimet e forcave policore dhe ushtarake të Serbisë të urdhëruara nga shteti serb mbi shqiptarët në Kosovë. Një çerekshekulli liri, një brez i tërë janë lidhur dhe pasluftës janë rritur. Gjeneratat e reja duhet të kenë një mundësi të njohjes së të kaluarës sonë, të dëshirës për të jetuar në liri dhe të dashurisë së parreshtur për Kosovën në kohërat më të vështira dhe në kushtet më të rrezikshme”, tha Kurti.
Kurti tha se Kosova do të ketë një “muze të dinjitetshëm” ku do të tregon krimet serbe ndaj popullit tonë.
“Të gjitha provat e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, të mbledhura nga organizata e gjykata ndërkombëtare, bashkë me prova dhe dëshmi të mbledhura deri më tani, po grumbullohen dhe po vazhdojnë të sillen në Institucionet e Republikës së Kosovës për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e kujtesës kolektive duke I sistematizuar dhe kategorizuar ato. E pas themelimit të grupit punues për hartimin e konceptit të muzeut të Gjenocidit dhe Përpjekjes për Liri, sot kemi vendimin për themelimin e këtij institucioni muzeal. Vendi ynë do të ketë një muze të dinjitetshëm ku do të tregohen krimet e Serbisë ndaj popullit tonë. Ky muze është institucionalizimi I kujtesës sonë kolektive dhe dëshmi e krimeve të Serbisë ndaj Kosovës”, tha tutje kreu i ekzekutivit.
Ndërsa, në mbledhjen e Qeverisë, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka njoftuar se muzeu fillimisht do të themelohet si njësi e veçantë në kuadër të Muzeut Kombëtar të Kosovës, e pas hyrjes në fuqi të Ligjit për muze si institucion.
“Institucioni do të vendoset në ndërtesën ku aktualisht është Ministria e Kulturës ndërsa paralelisht do të zhvillojmë procedurat për zhvendosjen e administratës në një ndërtesë tjetër ose një të re. Kemi ndarë edhe buxhetin e nevojshëm”, ka deklaruar Çeku.
Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, abstenoi në votimin e kësaj nisme.