Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se ka qenë shkaktare kryesore e regresit së lirisë së mediave në raportin e “Reporterëve pa Kufij”.
Haradinaj tha se “Sunduesve i pengon liria e shprehjes, liria e mediave!”. Sipas tij, Qeveria aktuale ka tendencë që t’i kontrollojë mediat e pavarura të Kosovës.
“Mbrojtja e gazetarëve dhe medias së lirë është ndër parimet e panegociueshme dhe është obligim institucional e shoqëror ta ruajmë dhe avancojmë këtë segment të lirisë sonë! Sot, në Ditën Botërore të Lirisë së Mediave, reflektojmë mbi rëndësinë e lirisë së fjalës dhe lirisë së medias. Shqetësues mbetet qasja e eksponentëve të pushtetit me sulmet e orkestruara që i bëjnë mediave dhe tendenca për kontroll ndaj tyre, duke shënuar regres alarmant sa i përket lirisë së medias, i vërtetuar edhe nga raportet e instituicioneve kredibile ndërkombëtare”, tha ai.
Haradinaj u shpreh se ai dhe partia e tij qëndrojnë krah medias “në mbrojtje e respekt ndaj fjalës së lirë”.
Kosova ka shënuar regres për 19 pozita në renditjen e Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit të organizatës “Reporterët Pa Kufij”, për këtë vit. Nga pozita e 56-të, ku radhitej vitin e kaluar, këtë vit ka rënë në pozitën e 75 në mesin e 180 vendeve.
Sipas këtij raporti, gazetarët vazhdojnë të jenë cak i sulmeve politike.
“Edhe nëse media arrin t’i mbajë politikanët përgjegjës, gazetarët vazhdojnë të jenë objektiva e sulmeve politike. Rregullatori joefektiv i medias, Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), po përpiqet ta reformojë veten. Kanali televiziv, Klan Kosova, i është nënshtruar ngacmimeve administrative nga qeveria, e cila gjithashtu kishte kërcënuar pavarësinë e transmetuesit publik RTK me zgjedhjen e një aleati të ngushtë të partisë në pushtet si drejtor. Mediat në gjuhën serbe, të cilat janë nën presionin e forcave politike serbe, janë ankuar për diskriminim në qasjen në informacione publike, veçanërisht në gjuhën e tyre, që është ajo e pakicës kushtetuese”, thuhet në raport.