“Amerika është hidhëruar me Kurtin, pasi është duke i bërë dëm vendit të vet, dhe nuk i ka bërë dëm Amerikës, por i ka bërë dëm Kosovës”, ka thënë ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
Haradinaj ka folur për raportin e Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ka thënë, “kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk i ka prishur raportet se ka dëmtuar Amerikën, por sepse ka dëmtuar Kosovën”.
Sipas Haradinajt, qeveria e Kosovës pa miratimin amerikan u ka dhënë shansin serbëve të bëjnë veprime kundër shtetësisë së Kosovës.
“Nëse Kurti vazhdon shumë gjatë kësaj rruge, Kosova është duke e humbur kontrollin në pjesën veriore të saj, edhe po shkëputet lidhja strukturore e sistemit të Kosovës me veriun. Realisht po e largon nga Kosova një pjesë të territorit e të popullsisë”, ka deklaruar Haradinaj.
Më tej, ai ka treguar se tani është koha që të mbledhin paratë për energjinë elektrike që është shpenzuar nga qytetarët serbë, por nuk ka struktura që do të mund t’i grumbullojë këto para.
Haradinaj ka përfunduar duke thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është duke dëmtuar përkrahjen që ShBA-ja ia ka dhënë Kosovës, dhe është duke e dëmtuar rezultatin që ka ardhur si pasojë e kësaj përkrahjeje.