Haradinaj: Ata që dalin jashtë kërkesës së SHBA-së për çështjen e targave, s’punojnë në interes të vendit

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet menjëherë ta pranojë kërkesën e ndërkombëtarëve për shtyrjen e vendimit për çështjen e targave

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj,





Ish-kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet menjëherë ta pranojë kërkesën e SHBA-së, QUINT-it dhe aleatëve të tjerë të NATO-s, lidhur me shtyrjen e vendimit për çështjen e targave.

Haradinaj ka theksuar se edhe populli i Kosovës, edhe aleatët e saj të sigurisë, i dinë shumë mirë qëllimet e Serbisë, sponsorëve dhe satelitëve të saj.

Megjithatë, sipas tij SHBA-ja përmes zyrtarëve të saj, që nga ambasadori Hovenier e deri te sekretari i Shtetit Blinken, kërkuan nga Kosova pezullimin e vendimit për targat deri në Marrëveshjen Finale dhe kësaj kërkese iu bashkuan edhe vendet e QUINT-it por edhe vendet e tjera të NATO-s.

Ai ka potencuar se kjo kërkesë nuk është vetëm politike, por garanton sigurinë e vendit e veçanërisht sigurinë e rendin në veri të vendit.

“Ata që dalin jashtë kësaj kërkese nuk punojnë në interes të sigurisë së vendit tonë e as të zbatimit të ligjit. Kurti me demagogët e vet, qoftë në qeveri e qoftë jashtë saj, nuk janë me aleatët e sigurisë dhe as nuk janë të interesuar për sigurinë e Republikës së Kosovës. Kjo situatë është bardh e zi. Në vend që të vazhdohet me demagogji, menjëherë duhet të pranohet kërkesa e Amerikës, QUINT-it dhe aleatëve të tjerë të NATO-s për shtyrjen e vendimit për targat deri në Marrëveshjen Finale”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Ndryshe, që nga një nëntori, Qeveria e Kosovës ka nisur të zbatojë planin e saj – në tri faza – për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia.

Faza e parë përfshin qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.

Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur zhgënjim pse Qeveria e Kosovës nuk ka vepruar në përputhje me kërkesën e tyre për shtyrje 12-mujore të vendimit për targat.

Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.

Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”.





Shija e redaktorit

Ushtria amerikane numër 1 në botë, FSK e fundit në...

Kosova është me fat, sepse miku më i madh i saj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten bindshëm larg fuqia më e madhe ushtarake...

Shtëpia botuese “Dukagjini” nesër promovon librin “Aneta: një epos heroinash”...

Për të gjithë ju, dashamirë të librit, ju njoftojmë që shtëpia botuese “Dukagjini, më datë 21 shkurt, ditën e premte, në orën 18:00, në...

Rama uron Kurtin me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së...

Kryeministri i Republikë së Kosovës, Albin Kurti ka pranuar urime nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë...

Të fundit nga rubrika