Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka thënë se bashkimi opozitar, po shihet nga qytetarët si e vetmja shpresë, sipas tij, për t’i dhënë fund “qeverisë anti-shtet”.
“Situata e krijuar në vend, kërkon mobilizim e bashkim të gjithëmbarshëm për ta kthyer Kosovën drejt rrugës së zhvillimit dhe integrimit, në bashkëpunim me miqtë tanë që na ishin pranë në momentet më të vështira”, ka shkruar Haradinaj.
Kreu i partisë opozitare është shprehur se kishte nderin të bashkëbisedonte me shumë miq, kolegë e bashkëluftëtarë në Stanoc të Vushtrrisë, në mikpritjen e aktivistit të AAK-së, Rrahim Ajeti.
“Bashkë me kryetarin e degës së AAK-së në Vushtrri, Mensut Ademi, kryetarin e Listës Konservatore Avdullah Klinaku, Prof. Shemsi Rrahimi, diskutuam për problemet dhe nevojat e qytetarëve të kësaj ane, si dhe për zhvillimet politike në vend dhe nevojën e bashkimit e mobilizimit sa më masiv për të ndaluar qeverisjen anti-shtet”.