Kryetari i AAK-së, Haradinaj i ka shprehur mirënjohje Bashkimit Evropian për lehtësimin e dialogut, duke thënë se “është momenti i duhur që BE ta dorëzojë portofolin te Presidenti Biden, për marrëveshjen finale për njohje reciproke Kosovë – Serbi”.
Sipas tij, Amerika kësaj here i ka dhënë shtytje procesit të udhëhequr nga BE-ja dhe e riktheu normalitetin në raportet Kosovë-Serbi.
“Zbatimi i rendit dhe ligjit në tërë vendin duhet të ndodhë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Ndërkaq, të enjten e 18 gushtit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq janë takuar në Bruksel, në kuadër të dialogut që ndërmjetëson Bashkimi Evropian (BE).
Në ndërtesën ku po mbahej takimi, ishin të pranishëm Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell dhe Përfaqësuesi Special i BE-së për dialog Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Në ndërtesën ku po mbahej takimi ka qenë i pranishëm edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar.
Pavarësisht takimeve të gjata dypalëshe e tripalëshe, në këtë ditë nuk u arrit marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.