“Ju propozoj deputetë të shkojmë në mocion dhe të ndërprejmë mosbesimin deri në pabesi, poshtërimin deri në armiqësi dhe mashtrimin deri në tradhti e ta shkarkojmë Qeverinë Kurti”.
Kështu ka deklaruar kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, në seancën e Kuvendit të Kosovës teksa ka kërkuar nga deputetët që të bëjnë një mocion mosbesimi dhe ta shkarkojnë Qeverinë Kurti.
Ai e ka fajësuar kryeministrin Kurti për situatën në veri, teksa ka thënë se Kurti “është sinonim i poshtërimit deri në armiqësi dhe i mosbesimit deri në pabesi”.
“Ne e dimë dhe e përjetojmë agjendën serbe, e dimë rolin e Listës Serbe dhe bandave atje, disa prej të cilëve i ka sanksionuar për veprimtarinë e tyre. Ajo që ne nuk po e flasim në Kosovë, ku po shkon Kosova nën udhëheqjen e kryeministrit Kurti. Ai ka sjellë mosbesim deri në pabesi, me besimin që ka kultivuar deri më tani”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka thënë se si rezultat i këtij “mashtrimi” po ndodhin tashmë edhe ndëshkimet e aleatëve për Kosovën.
“Si kryeministër, si qeveri e një vendi, si rezultat i këtij po ndodhin ndëshkimet e aleatëve për Kosovën, për shkak të pabesive të një kryeministri që është ndihmuar të çlirohet nga aleatët. Kryeministri Kurti i sotëm ka mbjellë dhe ka nxitur poshtërim të të gjitha vlerave, disa prej tyre i ka marrë me vete për të fuqizuar konceptin e poshtërimit, në opozitë ka mundur të kuptojë që është në luftë për pushtet, por kur je kryeministër i një vendi, kur e ke në dorë fatin e një vendi, po i sjell Kosovës pasoja të brendshme e të jashtme”, ka theksuar ai.
Ndryshe, veriu u trazua nga 26 maji, kur Policia e Kosovës i ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe – Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – të hyjnë në objektet komunale.