Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk duhet të fajësohet për pranim të propozimit evropian, pasi sipas tij tema e Asociacionit është e trashëguar nga pushtetet e kaluara.
“Kosova duhet të marrë mbështetje në këtë kohë pasi është me interes shtetëror që të pranohet ndihma e aleatëve”, ka deklaruar Haradinaj.
Haradinaj ka kërkuar nga partitë e tjera opozitare që të bëhen të sinqerta.
Ai ka thënë se aleatët e kanë ndihmuar Kosovën që të vijë në një marrëveshje me Serbinë, me qëllim që Kosova të rikthehet në agjendë për njohje dhe të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare.
Ai ka thënë se askush nuk i ka thënë ish-presidentit Hashim Thaçi më 2013, se nuk ka marrëveshje pa njohje reciproke.
“Nëse ne i themi qeverisë sonë se nuk e pranojmë pa njohje reciproke, matuni mirë, nuk i kemi thënë Thaçit në 2013 nuk e pranojmë pa njohje reciproke, matuni mirë”, ka thënë Haradinaj.
“Unë po ju tregoj kështu, për mua dhe për Aleancën është i pranueshëm plani franko-gjerman, i them qeverisë pranoje, mos e vono”, ka vijuar ai.