Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka njoftuar se nga java e parë e shtatorit do të fillojë një proces bashkëbisedimi me qytetarët e Kosovës në vendbanime të ndryshme të vendit për dialogun Kosovë-Serbi dhe shumë tema të tjera që i preokupojnë qytetarët.
“Të nderuar anëtarë e simpatizantë të Aleancës, të nderuar qytetarë të Kosovës. Procesi i dialogut, situata e krijuar politike dhe ekonomike në vend, na shtynë të jemi më të angazhuar e më të fokusuar si asnjëherë me parë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
I pari i AAK-së ka thënë se në këto tubime, do të diskutohet hapur për dialogun për njohje reciproke Kosovë-Serbi, për situatën e rëndë ekonomike-sociale me theks të veçantë për krizën e rëndë energjetike, po ashtu edhe për tema të tjera që e preokupojnë vendin dhe qytetarin.
Ndryshe pas takimit në Bruksel të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, Haradinaj i ka shprehur mirënjohje Bashkimit Evropian për lehtësimin e dialogut, duke thënë se “është momenti i duhur që BE ta dorëzojë portofolin te Presidenti Biden, për marrëveshjen finale për njohje reciproke Kosovë – Serbi”.
Sipas tij, Amerika kësaj here i ka dhënë shtytje procesit të udhëhequr nga BE-ja dhe e riktheu normalitetin në raportet Kosovë-Serbi.
“Zbatimi i rendit dhe ligjit në tërë vendin duhet të ndodhë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Ndërkaq, të enjten e 18 gushtit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq janë takuar në Bruksel, në kuadër të dialogut që ndërmjetëson Bashkimi Evropian (BE).
Pavarësisht takimeve të gjata dypalëshe e tripalëshe nuk është arritur marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Haradinaj: BE-ja duhet t’ia dorëzojë portofolin Biden-it për marrëveshje finale