Kryetari i Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës [AAK], Ramush Haradinaj, i është përgjigjur letrës që ia ka dërguar kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, për mundësinë e dërgimit të vendit në zgjedhje.
Haradinaj ka përsëritur qëndrimin se vendi duhet të shkojë në zgjedhje pasi të japë dorëheqje Kurti dhe jo me shpërndarje të Kuvendit.
“Në përgjigje të letrës së kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, shpreha qartë se rrugëdalja e vetme nga kriza në vend, është një platformë e përbashkët për qeverisje, pa Kurtin”, ka shkruar Haradinaj në rrjetin social “Facebook”.
Haradinaj ka deklaruar se duhet një platformë e përbashkët për qeverisje por pa kryeministrin aktual, Albin Kurti.
“Kjo sepse Kurti dhe qeveria e tij janë fajtore për gjendjen e krijuar, e në këtë kontekst, Aleanca nuk lëviz nga qëndrimi që kjo Qeveri duhet ta përmbyllë mandatin e saj me dorëheqje ose me shkarkim, e jo të amnistohet me vetëshpërndarje të Kuvendit”, ka thënë Haradinaj.
Ndryshe, Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ditë më parë u ka dërguar nga një letër kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Në këtë letër, Krasniqi ka ritheksuar qëndrimin e Partisë Demokratike të Kosovës për “nevojën” e mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme.
“Në takimet e fundit që i kam zhvilluar me secilin lider të këtyre partive parlamentare, kam shprehur qëndrimin se zgjedhjet sot janë një domosdoshmëri qytetare dhe jo një dëshirë politike, andaj tani është koha që të veprojmë të koordinuar dhe me hapa konkretë”, ka shkruar Krasniqi.
Ai ka thënë se Kosova dhe qytetarët kanë nevojë për një qeveri të re që fokusohet në zhvillimin ekonomik, mirëqenien qytetare dhe integrimin euroatlantik.
“Zgjedhjet e reja janë thelbësore për të krijuar një Kuvend funksional që është në shërbim të interesit qytetar. Partia Demokratike e Kosovës ka propozuar datat 30 qershor ose 7 korrik për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme dhe për shkak të afateve ligjore dhe kushtetuese, për të arritur njërën nga këto data, mocioni procedural për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, do të duhej të votohej më së largu deri më 29 maj. Andaj, edhe sot, unë i ftoj të gjitha partitë parlamentare që të koordinohemi e të bashkëpunojmë për të mirën e qytetarëve tanë”, ka përfunduar Krasniqi.
Krasniqi letër Kurtit, Abdixhikut e Haradinajt, ua propozon datat për zgjedhje