Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që gjendjen në veri ta marrin më me seriozitet, teksa ka kërkuar që zgjedhjet në këtë pjesë të vendit të parapara të mbahen më 23 prill, të shtyhen.
Kështu ka thënë ai në foltoren e Kuvendit të Kosovës, ku tha se duhet bërë një analizë kësaj situate.
Ai theksoi se Kosova nuk do të përfitojë nëse vazhdohet të heshtet edhe më tutje për gjendjen në veriun e vendit.
“Duhet të kemi guxim politik që t’i trajtojmë temat në të vërtetën e vet, së paku të mos fshihemi nga temat që i ka vendi përpara. Zgjedhjet e shpallura herën e parë nuk arritëm t’i mbajmë dhe procesi për t’i mbajtur ato tash nuk është i qëndrueshëm. Pse jemi në këtë gjendje? Kuptohet e dimë mirë agjendën e Serbisë dhe Listës serbe dhe i dimë kushtëzimet e tyre, por edhe presionet që i ushtrojnë mbi qytetarët e vendit në veri, por a e dimë ne si Kosovë dhe a e di Qeveria jonë rrugën deri te suksesi?”.
“I bëj thirrje qeverisë, presidentes, institucioneve të vendit ta marrin me seriozitet gjendjen në veri dhe ta marrin një vendim lidhur me këtë situatë, e ai vendim besoj se është shtyrja e zgjedhjeve”, tha Haradinaj.
Ai ka potencuar se me informatat që i ka, gjendja aktuale nuk dërgon te suksesi, derisa shton se mostrajtimi i gjendjes me seriozitet mund t’i thellojë pasojat për Kosovën në veri.
“Procesi i tashëm i zgjedhjeve nuk na dërgon te suksesi, mosshqyrtimi i kësaj gjendjeje me kujdes dhe mostrajtimi i kësaj gjendjeje me seriozitet dhe me aleatët tonë mund t’i thellojë pasojat për Kosovën në veri. Në rast se Kosova qëndron në vendimin e vet për mbajtjen e zgjedhjeve dhe do të vijë dita e zgjedhjeve dhe qytetarët e veriut do të shkojnë të votojnë në stacione policore. Duhet t’i bëjmë analizë kësaj situate, a është në interesin tonë të arrijmë te kjo ditë, çka do të fitojmë në këtë ditë”.
Ai thotë se “më mirë ta pranojmë një çerek humbjeje sot, një gjysmë humbje nesër, sesa një humbje të plotë në ditën e zgjedhjeve”.
Haradinaj beson se terreni është pikënisja e suksesit.
“Nëse gjendjen në terren e ke çfarë e ke, mos lejoni të shkojmë në ditën e fundit e pastaj ta pranojmë humbjen. Më mirë të gjejmë një formulë të ecim përpara sesa të vazhdohet me këtë fshehje totale, të vetmit që mbajnë sot kujdesin institucional janë njësitë policore e 4 prej tyre janë në burg. Mos lejoni të shkojmë në këtë rrugë”, shtoi ai.